Reagimet për vdekjen e Mlladiqit: Nga kujtimi i viktimave e deri te madhërimi i figurës së tij

Reagimet lidhur me vdekjen e Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte, variojnë nga kujtimi i viktimave të tij dhe mesazhet se vdekja nuk i fshin krimet, e deri te madhërimi i figurës së tij.

Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Mlladiq, ishte dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95 nga një gjykatë ndërkombëtare. Ai vdiq në moshën 84-vjeçare.

“Ratko Mlladiqi ka lënë pas një barrë të madhe për brezat e popujve nga të cilët vjen”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Shehida Abdurahmanoviq, anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës së Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës.

Abdurahmanoviq, bashkëshorti i së cilës ishte një nga viktimat e para civile në Srebrenicë, që në vitin 1992, thotë se Mlladiqi gjatë gjithë kohës e mohoi se ishte kryer gjenocid dhe se ajo nuk mund ta kuptojë këtë.

“Nuk mund t’i kuptoj as ata që e madhërojnë, që donin ta nxirrnin tani nga qelia që të vdiste në Serbi, gjoja për arsye humanitare”, tha ajo.

Shoqata e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës deklaroi se Mlladiq ka vdekur, por se krimet për të cilat u dënua nuk vdiqën bashkë me të.

“Kujtimi për viktimat duhet ta mbijetojë edhe atë, edhe çdo politikë që është përpjekur të justifikojë ose relativizojë atë që gjykatat ndërkombëtare e kanë përcaktuar si fakte”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë shtohet se trashëgimia e Mlladiqit janë viktimat, varrezat masive, kampet, njerëzit e dëbuar, jetët e shkatërruara dhe aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare.

Shoqata e Nënave të Srebrenicës dhe Zhepës tha po ashtu se krahas Mlladiqit duhet folur edhe për sistemin politik që e krijoi, e mbështeti dhe e mbrojti, duke theksuar se Beogradi nuk e shihte atë thjesht si një të arratisur.

“Ratko Mlladiqi ishte produkt i një strukture ushtarake, politike dhe institucionale që i mundësoi të vepronte për vite me radhë dhe, pas luftës, t’i shmangej drejtësisë për një kohë të gjatë”, thuhet në deklaratë.

Në Banjallukë dhe Sarajevë, qëndrime të kundërta për Mlladiqin

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) dhe ish-presidenti i Republika Sërpska, Millorad Dodik, tha se Republika Sërpska nuk do ta harrojë rolin e Mlladiqit dhe se, pavarësisht nga “Sarajeva dhe presionet politike të Perëndimit”, mbetet e përkushtuar ndaj asaj që ishte Mlladiq.

Dodik tha për televizionin Informer se Mlladiqi ishte komandant i Ushtrisë së Republika Sërpska në luftën për lirinë e popullit serb, “pavarësisht se, duke shpikur përgjegjësinë kolektive, edhe atë e futën në historinë e përgjegjësisë për ngjarje të caktuara”.

Kryetari i Kuvendit Popullor të entitetit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, pretendoi se Tribunali i Hagës, me vendimin për të mos e lejuar Mlladiqin të kurohej në Serbi, “e përshpejtoi” vdekjen e tij.

Stasha Kosharac, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, shkroi në Instagram se Mlladiqi ishte “patriot, autoritet dhe njeri, prania e të cilit në kohët më të vështira i jepte popullit tonë forcë dhe inkurajim”.

“Gjenerali Mlladiq ishte, është dhe do të mbetet komandanti im”, shkroi Kosharac.

Kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, tha se “Mlladiqi mbetet një njeri, emri i të cilit është shkruar thellë në historinë tonë”.

“Njeri që, siç e kujtojnë shumë, i mbajti mbi shpatullat e tij momentet më të vështira të popullit të tij, që për popullin e tij mbajti sakrificën dhe vepra dhe emri i të cilit do të vazhdojnë të jetojnë”, shkroi Stanivukoviq në rrjetin X.

Ndërkaq, Mirosllav Bojiq, kryetar i Laktashit, qytet pranë Banjallukës, madje njoftoi në Facebook se në mbledhjen e Kuvendit të qytetit, më 21 shtator, do të propozojë që një nga rrugët e reja, ndërtimi i së cilës do të përfundojë vitin e ardhshëm, të emërtohet sipas, siç e quajti ai, “gjigantit” Ratko Mlladiq.

Bojiqi është nënkryetar i SNSD-së, partisë së Dodikut.

 

 

 

 

 

 

 

Në Sarajevë, kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, tha se “krimineli i luftës Ratko Mlladiqi mbetet i shkruar me shkronja të zeza në historinë e Bosnjë e Hercegovinës, Evropës dhe botës”.

“Vendimi i formës së prerë i Tribunalit të Hagës, gjykatë e Kombeve të Bashkuara, e ka renditur përgjithmonë këtë kriminel lufte, edhe në aspektin gjyqësor, ndër vrasësit më brutalë të shekullit XX”, shkroi Beqiroviq në Instagram.

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, shkroi në Facebook se ka vdekur një njeri që la pas Srebrenicën, Sarajevën, varrezat masive dhe mijëra jetë të shkatërruara.

“Me vdekjen nuk vjen falja. Varrezat masive nuk fshihen. Fëmijët e vrarë nuk kthehen. Nuk kthehen baballarët, nënat, vëllezërit dhe motrat. Mbeten vetëm turpi, aktgjykimi dhe gjurma e përgjakshme e krimeve”, shkroi Helez, duke përdorur në postimin e tij edhe gjuhë fyee.

Në Beograd ende pa reagim zyrtar

Ambasada e Rusisë në Serbi shprehu ngushëllime për familjen e Ratko Mlladiqit.

Beogradi zyrtar ende nuk ka reaguar lidhur me lajmin për vdekjen e Mlladiqit.

Ndërkaq, Partia opozitare e Lirisë dhe Drejtësisë kujtoi se Ratko Mlladiqi ishte arrestuar dhe ekstraduar nga pushteti i mëparshëm në Tribunalin e Hagës, ku u dënua për një sërë krimesh lufte, përfshirë vrasjen e mijëra njerëzve në Srebrenicë.

“Brezat e njerëzve që nuk morën pjesë në ato krime dhe që nuk mbajnë asnjë faj për to, janë rritur dhe do të rriten duke mbajtur barrën e faktit se emri i Serbisë në botë lidhet me krimet, veçanërisht me ato në Srebrenicë”, thuhet në deklaratë./REL