“Të nderuar qytetarë, opozita paska reaguar ndaj deklaratës sime të dhënë për TV Alsat në lidhje me çerdhet dhe për menaxhimin e mbeturinave në qytetin tonë. Do të ndalem shkurtimisht te të dyja çështjet. Së pari, sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Z. Blerim Hyseni është kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor pranë Këshillit Komunal të Kumanovës. Pikërisht aty duhet t’i adresojë shqetësimet dhe kritikat që na drejton neve, por fatkeqësisht nuk e bën. Për më tepër, gjatë shumicës së seancave të Këshillit Komunal, këshilltari në fjalë ka pasur mundësinë të dëgjojë raportimet e shërbimeve kompetente komunale, të cilat kanë sqaruar se keqmenaxhimi shumëvjeçar i NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi” nga opozita e atëhershme e ka sjellë ndërmarrjen në gjendjen e sotme. Aktualisht, mbi 10 kamionë të kësaj ndërmarrjeje janë jashtë funksionit ose kanë defekte serioze, gjë që ndikon drejtpërdrejt në grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave në të gjithë qytetin. Natyrisht, kjo situatë nuk është krijuar për vetëm pesë muaj qeverisje lokale. Së dyti, sa i përket çerdheve. Këshilltari në fjalë duhet t’u përgjigjet qytetarëve dhe të shpjegojë, nëse dëshiron dhe nëse di, pse në Planin Gjeneral Urbanistik të Kumanovës, të miratuar në vitin 2012 dhe që ende është në fuqi, nuk janë planifikuar lokacione për çerdhe në vendbanimet shqiptare të komunës. Gjithashtu, duhet të sqarojë se ku ishte opozita e sotme në kohën kur planifikoheshin hapësirat për çerdhe të reja dhe si e arsyeton faktin që në atë plan nuk janë kërkuar apo paraparë hapësira për çerdhe, shkolla, terrene sportive, kënde lojërash për fëmijë dhe përmbajtje të tjera të domosdoshme publike për vendbanimet shqiptare.Pasi t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë mund të marrë të drejtën morale për të folur mbi këto tema. Përndryshe, po të vepronim sipas logjikës së opozitës, ndoshta edhe sot Plani Gjeneral Urbanistik do të vazhdonte të qëndronte në sirtarë edhe për 10 apo 15 vite të tjera. Mirëpo, ne kemi zgjedhur një qasje tjetër. Prandaj, i njoftojmë qytetarët se në fillim të vitit 2027 do të shpalosim Propozim-Planin e ri Gjeneral Urbanistik të Kumanovës, ku secili qytetar do të ketë mundësinë të shohë qartë vizionin dhe zhvillimin e ardhshëm të qytetit. Në këtë plan do të jenë të parashikuara lokacionet për çerdhe në të gjitha vendbanimet shqiptare, në përputhje me Ligjin për Urbanizëm dhe rregulloret përkatëse. Gjithashtu, do të jenë të planifikuara edhe të gjitha përmbajtjet e tjera publike të nevojshme, për të cilat kam folur edhe në intervistën e dhënë në TV Alsat. Ne vazhdojmë me përkushtim realizimin e programit tonë VLEN 2025–2029.”
Maqedoni Reagim i Skender Osmanit rreth deklaratës së Blerim Hysenit lidhur me çerdhet...





