Më 2 qershor, ekipi i parë i ekspertëve mjekësorë kinezë u nis për në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), pas reagimit të Pekinit për ndihmë humanitare emergjente në përgjigje të shpërthimit të Ebolës. Veprimi ishte i shpejtë. Në fakt, për ata që e kanë ndjekur bashkëpunimin shëndetësor Kinë-Afrikë gjatë gjashtë dekadave të fundit, kjo ishte plotësisht në përputhje me një model tashmë të vendosur angazhimi.
Veprimi i Kinës më 2 qershor, pasqyron një qëndrim të politikës së jashtme, që Pekini e ka formalizuar përmes disa kornizave institucionale. Samiti i fundit i Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC), që u mbajt në Pekin në shtator 2024, përfshiu angazhime specifike në shëndetësinë publike, si trajnimi i personelit mjekësor afrikan, ndërtimi i spitaleve dhe infrastrukturës për ndjekjen e sëmundjeve, si dhe vendosja e brigadave mjekësore.
Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, ekipet mjekësore kineze kanë vepruar në më shumë se 40 vende afrikane që nga viti 1963, me një prani prej 60 vitesh të vazhdueshme në këtë kontinent.
Angazhimi i Kinës me Afrikën përfshin fusha të shumëfishta, si infrastrukturën, tregtinë, bashkëpunimin diplomatik dhe, gjithnjë e më shumë, shëndetin publik. Ndihma e Kinës ndaj DRC duhet kuptuar brenda këtij partneriteti të gjerë dhe në zhvillim e sipër.
Për Republikën Demokratike të Kongos konkretisht, përparësia e menjëhershme është vënia nën kontroll e përhapjes. Ekspertët mjekësorë kinezë që mbërrijnë me furnizime dhe njohuri teknike, reagojnë drejtpërdrejt ndaj këtyre nevojave. Ky veprim gjithashtu ndihmon në forcimin institucional afatgjatë të infrastrukturës shëndetësore të Republikës Demokratike të Kongos, duke shtuar një kapitull tjetër në një partneritet që ka demonstruar vazhdimisht vlerën e tij, pikërisht kur rreziqet janë më të larta



