Rasti i “53 milionëve”, kërkohet dëshmia e ish-kryeministrit Avdullah Hoti

Në shqyrtimin seancën e fundit të mbajtur pranë Departamentit Special te Gjykatës Themelore në Prishtinë, mes tjerash është marrë në shqyrtim edhe propozimi i mbrojtjes së ish-ministrit Pal Lekaj, avokatit Musa Damati për të shqyrtuar mundësinë që edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të ftohet në cilësi të dëshmitarit për të dëshmuar në rastin e njohur si rasti i “53 milionëve”.

Në këtë proces deri më tani kanë dëshmuar disa ish-ministra mes të cilëve edhe Albena Reshitaj, Valdrin Lluka dhe figura të tjera publike.

Avokati Musa Damati konfirmoi për KosovaPress se me datën 29 shtator 2023 në cilësi të dëshmitarit nga gjykata do të ftohet edhe ish-kryministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Lekaj dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria Speciale se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.