Rastet me virus mbyllin Komunën e Ohrit

Qytetarët dhe kompanitë, që kanë ndonjë nevojë për shërbime në komunën e Ohrit do të mund të kontaktojnë vetëm përmes adresave telefonike, ose në e-mail të departamenteve dhe sektorëve. Që nga sot, ndërtesa e komunës është e mbyllur, si masë për parandalimin e valës në rritje të njerëzve të infektuar me koronavirus.

“Kjo masë është aplikuar në mënyrë që të sigurojë mbrojtje më të madhe të qytetarëve dhe punonjësve, nga përhapja e koronavirusit dhe të sigurojë kushte për funksionim më të sigurt të shërbimeve komunale. Masa do të jetë e vlefshme derisa situata të stabilizohet”, thonë nga Komuna e Ohrit.

Ndërkohë, kapaciteti i spitalit të përgjithshëm të qytetit po mbushet me shpejtësi. Përveç spitalit modular, edhe reparti geriatrik është plot me pacientë, dhe numri i personave pozitiv me kovid në repartin intern po rritet.

“Nëse numri rritet, atëherë neuropsikiatria do të zhvendoset në njësinë kirurgjikale, dhe atje do të pranohen pacientët pozitivë. Kemi një rritje të rasteve ambulatore, kemi një rritje të shtrimeve në spital. Situata po ndryshon në çdo orë”, tha Goran Balev, drejtor i spitalit të përgjithshëm Ohër.

Për momentin, 63 pacientë janë të shtruar në spitalin e Ohrit. Shumë prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Situata është më e mirë në spitalin e Strugës. Atje janë shtruar në spital 18 pacientë./ALSAT