Në rrjetin social Twitter është bërë viral një lajm i rrejshëm, ku pretendohet se këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka vdekur nga mbidoza e drogës, shkruan lajmi.net.
Për të përgënjeshtruar këto pretendime, këngëtarja ka reaguar me anë të disa postimeve në Twitter, ku konfirmoi se është gjallë e shëndosh.
E gjithë kjo filloi me qarkullimin e një imazhi, ku thuhej se Bebe vdiq si pasojë e mbidozës dhe se këtë lajm e kishte “konfirmuar” edhe CNN.
“Lajmi i fundit: CNN ka konfirmuar që ylli i popit Bebe Rexha ka ndërruar jetë për shkak të mbidozës së drogës në shtëpinë e saj në Kaliforni. Familja e Bebe Rexhës ka lëshuar një deklaratë për shtyp duke thënë: Ajo ishte drita në jetën tonë. Ne do ta respektojmë privatësinë në këto kohë të vështira”, thuhej në atë deklaratë.
Këtij statusi i ishte bashkëngjitur edhe një imazh me kinse trupin e pajetë të Rexhës, ndërsa fansat menjëherë filluan të bënin homazhe për të.
“Vdekja e Bebe Rexhës / Pop ylli Bebe Rexha Nekrologjia / Shkaku i Vdekjes”, thuhet në një artikull, ndërsa më tej thuhej se nuk janë bërë ende të ditura detajet e varrimit të saj.

E tmerruar nga ajo që pa se shkruhej lidhur me të, Bebe shkroi “O Zot i madh, ndalo dreqin”.

“Jesus. Unë qëndroj jashtë linjës për tre ditë dhe jo vetëm që kam vdekur, por kam vdekur nga mbidoza e një droge?!?!”, shkruan Bebe në një tjetër status.
Madje, ndër gjërat më të kërkuara në rrjet kishte dalë “Bebe Rexha vdiq”.

Pas gjithë asaj, këngëtarja filloi të tallej me postimet e tjera, duke shkruar “Unë jam një fantazmë. Unë po shkruaj nga dollapi juaj i dhomës së gjumit. Bushtër”.
Ky nuk është rasti i parë që një i famshëm bie pre e pretendimeve të tilla, të cilat jo rallëherë ndikojnë edhe në traumatizimin e familjarëve të tyre. /Lajmi.net/





