Raportohet për katër palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor

Të paktën katër palestinezë janë vrarë dhe 44 të tjerë janë plagosur gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite në qytetin Jenin, në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Forcat izraelite thanë se kanë qëlluar për vdekje dy palestinezë, të cilët kishin shkuar që t’i arrestonin në një kamp refugjatësh që gjendet në Jenin. Të dy dyshoheshin për përfshirje në sulmet e fundit ndaj izraelitëve.

Kur ushtarët izraelit rrethuan shtëpinë në kampin në Jenin, u aktivizua një mjet shpërthyes dhe më pas trupat izraelite shkëmbyen zjarr dhe vranë dy palestinezët, tha ushtria e Izraelit.

Gjatë këtij operacioni, shpërthyen edhe luftime në kamp, teksa militantët hodhën gur dhe hapën zjarr ndaj trupave izraelite që po hynin në kamp. Gjatë këtyre përleshjeve u vranë edhe dy palestinezë të tjerë dhe u plagosën të paktën 44 të tjerë, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Partia Fatah e presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abass, tha se një prej të vrarëve ishte një 24-vjeçar, zyrtar i inteligjencës palestineze, që u identifikua si Ahmed Alawneh. Partia Fatah bëri thirrje për protesta dhe grevë të përgjithshme në Bregun Perëndimor lidhur me atë që e cilësoi si “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Jenin gjendet në veri të Bregut Perëndimor dhe për një kohë të gjatë është konsideruar si bastion i milicisë palestineze dhe ky qytet shpesh ka qenë në qendër të dhunës midis palestinezëve dhe forcave izraelite. Këta të fundit, në mënyrë rutinore kryejnë operacione të arrestimeve në këtë zonë.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i Abbasit, dënoi operacionin izraelit, duke thënë se “politika e përshkallëzimit e Izraelit” nuk do të prodhojë “legjitimitet, siguri apo stabilitet, qoftë në vendet e shenjta islame apo të krishtera, apo në Jenin”.

Pas një serie sulmesh palestineze pranverën e kaluar brenda territorit të Izraelit, ushtria izraelite shpeshtoi aktivitetet në Brengun Perëndimor.

Gjatë këtij viti, dhjetëra palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, duke bërë që viti 2022 të jetë më vdekjeprurësi në këtë territor të pushtuar që nga viti 2015.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Që atëherë ka ndërtuar mbi 130 vendbanime përgjatë këtij territori, ku jetojnë pothuajse 500.000 hebrenj. Palestinezët duan që Bregu Perëndimor – që banohet nga rreth 3 milionë palestinezë – të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm.

Bisedimet e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve janë ndërprerë mbi një dekadë më parë./REL