Raporti i IAEA-së për lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv të centralit bërthamor?

Pasi panë raportin e vlerësimit që u publikua të martën nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) për lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv të centralit bërthamor Fukushima të Japonisë, shumë japonezë besojnë se pretendimi i raportit se plani i shkarkimit “përputhet me standardet ndërkombëtare të sigurisë” nuk është bindës. Disa organizata joqeveritare të Koresë së Jugut theksuan se raporti nuk mund të bëhet “hajmali” e Japonisë, as të justifikojë këtë veprim të qeverisë japoneze.

Protesta në Japoni kundër planit të qeverisë(Foto:VCG)

Në prillin e vitit 2021, pasi qeveria japoneze njoftoi në mënyrë të njëanshme planin për të hedhur në det ujin e ndotur radioaktiv, shoqatat vendore të peshkimit, zonat rreth Paqësorit dhe vendet ishullore të Paqësorit Jugor shprehën kundërshtim të fortë. Nën presion, Japonia ftoi IAEA-në të kryente një shqyrtim dhe vlerësim në shtator të atij viti. Pas dy vjetësh punë, IAEA-ja më në fund doli me një raport vlerësimi përfundimtar. Megjithëse raporti nuk pasqyron plotësisht mendimet e të gjithë ekspertëve pjesëmarrës në vlerësim dhe përfundimet e tij nuk u miratuan unanimisht nga ekspertët, ai u publikua me nxitim.

Pse? Kjo lidhet drejtpërdrejt me kufizimet e Japonisë në punën e vlerësimit të IAEA-së.

Së pari, pala japoneze e kufizoi rreptësisht sferën e punës së IAEA-së, duke e lejuar atë vetëm të vlerësonte planin e lëshimit në det të ujit, por jo të merrte parasysh zgjidhje të tjera. Kjo kufizoi premisën e punës së agjencisë dhe ndryshoi qëllimin e shqyrtimit, sepse ka shumë alternativa të tjera që janë të zbatueshme.

Më pas, të gjitha mostrat për shqyrtim dhe të dhënat përkatëse për IAEA-në u ofruan nga Japonia, pa përmendur se kompania që ka në pronësi centralin bërthamor të Fukushimës, Kompania e Energjisë Elektrike të Tokios, ka një “histori të zezë” të fshehjes dhe ndërhyrjes shumë herë në të dhënat e ujit të ndotur radioatkiv. Duke iu referuar fjalëve të ekspertit të monitorimit të rrezatimit bërthamor Azbi Brown, “New York Times” njoftoi të martën se “të dhënat e ofruara nga Japonia deri tani nuk janë të plota dhe i gjithë procesi nuk është mjaft transparent.”

Centrali bërthamor i dëmtuar në Fukushima(Foto:VCG)

Në rrethana të tilla, bazuar mbi të dhënat dhe informacionet të njëanshme nga Japonia, IAEA-ja kreu vetëm analiza krahasuese për një sasi të kufizuar kampionesh, me mungesë të madhe pavarësie dhe përfaqësimi në vlerësim. Prandaj, lindin disa pyetje kyçe. A është pajisja japoneze e pastrimit efektive për një kohë të gjatë? Cilat janë efektet e radionuklideve në mjedisin ekologjik dhe për shëndetin publik? A janë të vërteta dhe të sakta të dhënat për ujin e ndotur bërthamor? Si mund të sigurohemi që ky plan të mos ketë ndikim te vendet e tjera?

Jo vetëm kaq, por në dy vitet e fundit, Japonia, nga njëra anë, ka bërë “ambalazhim retorik”, duke e zbukuruar “ujin e ndotur bërthamor” si “ujë të trajtuar”, për të minimizuar dëmshmërinë e tij reale, nga ana tjetër, ajo përdori para “për të hapur rrugën”. Mediat e Koresë së Jugut njoftuan se para publikimit të raportit të vlerësimit të IAEA-së, qeveria japoneze kishte marrë paraprakisht projektraportin dhe kishte propozuar ndryshime thelbësore. Ndërkohë, zyrtarë japonezë u kanë dhënë punonjësve të Sekretariatit të IAEA-së mbi 1 milion euro “fond”.

Pavarësisht ç’thotë raporti, synimi i Japonisë për të hedhur vazhdimisht miliona tonë ujë të ndotur bërthamor në Oqeanin Paqësor brenda tre dekadave të ardhshme nuk duhet të lejohet. Për të kursyer para dhe telashe për veten, Japonia zgjodhi ta hedhë ujin e ndotur në det, gjë që, në fakt, e transferon rrezikun e ndotjes bërthamore te i gjithë njerëzimi. Për këtë, edhe në raport pranohet se Sistemi i Përparuar i Përpunimit të Lëngjeve (ALPS) i përdorur nga Japonia “nuk mund të heqë të gjitha radionuklidet në ujin e ndotur”.

Një numër studimesh ndërkombëtare kanë treguar se uji radioaktiv i Fukushimës përmban më shumë se 60 lloje radionuklidesh. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Japonia, rreth 70 % e ujit të ndotur pas trajtimit me sistemin ALPS nuk plotëson standardin e shkarkimit dhe duhet të pastrohet sërish. Për më tepër, gjatë procesit të mëpasshëm të funksionimit afatgjatë, efektiviteti dhe besueshmëria e ALPS-it do të ulen më tej me gërryerjen dhe vjetrimin e pajisjeve.

Protesta në Japoni dhe Kore të Jugut(Foto:VCG)

“Do të na duhen disa breza për të përballuar rrezikun e madh të planit të lëshimit në det të Japonisë.” Ky është paralajmërimi i bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Forumit të Ishujve të Paqësorit, Henry Puna, dhe është gjithashtu një shqetësim i përbashkët i komunitetit ndërkombëtar. Një raport i IAEA-së nuk mund “ta pastrojë” planin e lëshimit të Japonisë. Keichi Kikuchi, kryetari i Këshillit të Prefekturës Miyagi të Japonisë, tha se qeveria japoneze duhet të dëgjojë opinionin publik, të respektojë shkencën, të ndalojë planin e lëshimit në det dhe ta trajtojë ujin e ndotur bërthamor në mënyrë shkencore, të sigurt e transparente, duke pranuar mbikëqyrjen e rreptë ndërkombëtare. (Zhang Yan/Artan)