Ramush Haradinaj përkujton Tahir e Nebih Mehën: Trimat e UÇK-së…

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Tahir e Nebih Mehën në 40 vjetorin e vrasjes së tyre.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Haradinaj thotë se emrat e tyre u përjetësuan në historinë tonë dhe ëndrra e tyre u bë realitet nga gjenerata që ata frymëzuan, trimat e UÇK-së, njofton Klankosova.tv.

Postimi i plotë:

Pak javë para çlirimit, populli i Kosovës po përjetonte tragjeditë e gjenocidit shtetëror serb.

Kujtojmë dhjetëra jetë të humbura në masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, ku pushtuesit nuk kursyen as katërmbëdhjetë fëmijë shkolle.

Kujtojmë të rënët në Katund të Ri dhe Fushë të Pejës. Kujtojmë rënien por dhe humbjen pa gjurmë të anëtarëve të familjes atdhetare Prelvukaj. Bashkëndjejmë me secilën familje që u nda me dhunë nga të dashurit, e nuk di për fatin e tyre.

Edhe pas njëzetetre vitesh, shteti serb nuk është ballafaquar me krimet e kryera kundër popullit shqiptar. Drejtësia ende nuk është vendosur, e familjet vajtojnë të dashurit që i rrëmbeu armiku, e ata që nuk janë riatdhesuar ende, mbeten plagë e hapur për tërë shoqërinë tonë.

Gjithashtu, dyzetenjë vjet më parë, ishim dëshmitarë të heroizmit shqiptar në Prekaz. Me nder e respekt, përulemi para trimërisë së Tahir e Nebih Mehës, që ranë në përballje të pabarabartë me qindra forca jugosllave. Emrat e tyre u përjetësuan në historinë tonë, e ëndrra e tyre u bë realitet nga gjenerata që ata frymëzuan, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I përjetshëm kujtimi për të rënët. Lavdi!