Ramush Haradinaj nderon kryetarin e Qendrës Kulturore Shqiptaro Amerikane z.Burim Zhuta me “Titullin e Skënderbeut”

NJË MBRËMJE QË DO TË MBAHET MEND
Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane më 6 shkurt 2020 organizoi një mbrëmje gala, e që i kushtohej Forcave të Rendit në Nju Xherzi (Law Enforcement of New Jersey), ku morën pjesë mbi 400 shqiptarë dhe amerikanë. Mbrëmja u hap me Bandën muzikore të Policisë amerikane, më pas u kënduan tre himnet nga këngëtarja Merita Halili: himni i Amerikës, himni i Shqipërisë dhe himni i Kosovës. Fjalë rasti mbajtën kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptaro Amerikane Burim Zhuta dhe Sherifi i rajonit të Pasaikut Riçard Bërdnik (Richard H. Berdnik). Sherifit Riçard Bërdnik Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane i ndau titullin “Personalitet i vitit 2019”.
Sherifi Riçard Bërdnik pas pranimit të titullit nga kryetari Burim Zhuta, midis tjerash tha: “Punoj me shqiptarë dhe jam i kënaqur me punën e tyre. Ata janë të diciplinuar, kanë përgjegjësi në punë dhe punën e tyre e kryejnë me nder” – dhe ftoi në podium të gjithë oficeret dhe oficerët shqiptarë të cilët u përshëndetën nga të pranishmit me duartrokitje frenetike.
Kryetari Burim Zhuta në emër të Kryesisë dhe në emër të Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Riverdell oficerit të policisë, sherifit Lirim Kaba i ndau mirënjohje me këtë motivacion: “Për kontributin e tij dhënë komunitetit shqiptar të Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane, për 20 vjet rresht si oficer dhe si anëtar i Qendrës”.
Po ashtu në emër të Qendrës kryetari Burim Zhuta i ndau edhe dy bursa studentëve të dalluar në Universitetet amerikane Argjenta Kabës dhe Leutrim Reçit.
Në këtë mbrëmje kulturore përshëndeti dhe përfaqësuesi i policisë së Staten Island, imami dr. Tahir Kukaj. Ndërsa në emër të Policisë së Hoboken përshëndetën Edmond dhe Arben Drishti. Të pranishmit i përshëndetën mr. Visar Marku ish kryetar i Illyrian Society, detektivi Ardian Çela, oficeri Altin Celoaliaj etj.
Nga Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane oficeri Edmond Drishti u shpall Oficer i vitit.
Në këtë mbrëmje kulturore ishte i pranishëm edhe kryetari i Qeverisë së Kosovës në dorëheqje z. Ramush Haradinaj i cili me këtë rast Burim Zhutën kryetarin e Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane, në emër të Qeverisë së Kosovës e nderoi me “Titullin e Skënderbeut”.
Në fund të këtij manifestimi kulturor, ndihmat e grumbulluara nga anëtarë të Qendrës dhe të tjerëve, për ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti katastrofik në Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar (2019), Kryesia njëzëri vendosi që këto ndihma t’ i shkojnë familjes së poetit Nukoll Ulndreajt në Tiranë, shtëpia e të cilit ishte aq e dëmtuar saqë edhe ata vetë nuk e dinë sesi kanë shpëtuar. Çekun në mënyrë simbolike, kryetari Burim Zhuta, ia dorëzoi prof. dr. Bexhet Asanit i cili e pranoi në emër të poetit Nikoll Ulndreaj. Prof. Bexhet Asani në emër të Nikoll Ulndreajt falënderoi kryetarin Burim Zhuta, Kryesinë e Qendrës dhe të gjithë anëtarët e Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane. Ndër të tjera ai tha: “Poeti Nikoll Ulndreaj do t’ u jetë mirënjohës për tërë jetën edhe atyre që vunë dorën në zemër dhe kontribuan edhe me një qindarkë! Jam i sigurtë se Nikolla do t’ i ngre himn Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane dhe dhe anëtarëve të saj. Me këtë rast ju i keni ikur me mjeshtëri keqpërdorimeve të mundshme dhe thashethemeve se paratë apo ndihmat mund t’i kenë keqpërdorur apo i kanë vjedhur etj. Paratë tuaja sado pak do t’ ia zbutin dhimbjen shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Nikoll Ulndreajt. Në emër të tij ju falënderoj përzemërsisht!”
Mbrëmjen që i kushtohej Forcave të Rendit të Nju Xherzit, e begatoi grupi artistik i nxënësve të Shkollës së Qendrës, me këngë e valle në udhëheqjen e koreografit Xhemal Bekteshi. Kënduan Nxënëset Medina Toska dhe Erza Murseli, të cilat me zërin e tyre mahnitën publikun.
Mbrëmjen e ndoqën edhe edhe mediat, gjë që i falënderojmë përzemërsisht. Mbrëmjen e përcolli gazetari Beqir Sina dhe bashkëshortët kameramanë Ike dhe Arben Bajrami.
Mbrëmjen kulturore e udhëhoqi moderatorja Rajmonda Brao Zhuta e cila me anglishten e saj të shkëlqyer i mahniti të pranishmit.
B.A.