Ramadani: Shqiptarët kanë përgjigje për lojërat e Mickoskit

Shkruan: Ismet Ramadani

VMRO-DPMNE e opozitës planifikon që në listat e radhës për deputetë të ketë kandidatë shqiptarë. Kreu i partisë Hristijan Mickoski theksoi se është në kontakt me shqiptarët dhe kandidatët e mundshëm nga komunitetet e tjera etnike, duke synuar që në zgjedhje të fitojë 61 deputetë dhe si prioritet koalicionimi të ketë opozitën shqiptare.

Për analistin politik dhe ish-deputetin, Ismet Ramadani, ky njoftim është i mirë, por gjithsesi transparent dhe demagogjik, i cili vështirë se mund të kalojë te shqiptarët.

“Micoski shpesh praktikon një retorikë të tillë, gjoja do të propozonte kryeministër shqiptar, pas zgjedhjes së tij, por ai harron se shqiptarët ia lexojnë vetëm mendimet që nuk i thotë hapur. Shqiptarët nuk janë në nivel që të mos kenë përgjigje për lojrat e tij me fjalë. Mickoski e di se përse e bën ate, ai është nën presion të madh të shpëtojë kompaninë e tij nga fjala e drejtësisë”, ka theksuar për portalin “Lokalno”, politikani i njohur, Ismet Ramadani, që aktualisht është këshilltar i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, përcjell INA.

Lidhur me atë se sa ka potencial VMRO-DPMNE të bëj koalicion me partitë shqiptare, pas dështimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë aktuale (bashkë me ASH, AAA dhe BESA), Ramadani nënvizon se partia e Mickoskit po lufton që të bëjë koalicion për të ardhur në pushtet.

“VMRO-DPMNE për të mos djegur dëshirën për t’u rikthyer në pushtet, po lufton të bëjë koalicion me një nga partitë shqiptare në opozitë, ku ka dhënë disa rezultate në zgjedhjet lokale. Por nuk duhet harruar se se kapacitetet e koalicionimeve nga zgjedhjet parlamentare diktoren nga qëllimet strategjike dhe gjeopolitike. Në këtë pjesë dallimet me partitë shqiptare janë evidente dhe vështirë për tu kapërcyer. Partia e Mickoskit, gjegjësisht Gruevskit, duhet qartë të përcaktohet për Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, qasjen ndaj marrëveshjes me Bullgarinë dhe vlerat euroatlantike. Nëse ja shtojmë edhe Të Majtën si partnere e tyre, atëherë do të jetë edhe më vështirë për koalicionim me partitë shqiptare. Në fakt ka pasur një tentim të tillë, por e dijmë tani si përfundoi”, nënvizon Ramadani.

I pyetur nëse mund të ketë një përsëritje të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE mori në Qeveri partinë jofituese shqiptare PDSH në vend të BDI-së, Ramadani thotë se ekziston mundësia që i njëjti skenar të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Ka gjasa reale që një gjë e tillë të përsëritet. Thirrja për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe për të fituar 61 deputetë është një mesazh për shqiptarët që të mobilizohen në kundërshtimin e koalicionit me VMRO-në dhe të majtën dhe do të sjellë rikthimin e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike”, tha ish-deputeti i PPD. (INA)