Rama: Shqipëria peng i mosmarrëveshjeve RMV – Bullgari

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një konferencë me kryetarët e parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane u shpreh se Evropa është plani i vetëm për Shqipërinë dhe nuk mendojnë aspak që të heqin dorë. Sa i përket procesit të integrimit në BE, kryeministri tha se Shqipëria ndodhet në një situata të çuditshme që ta ofron vetëm BE-ja sepse ka mbetur peng i një mosmarrëveshje mes dy vendeve të tjera.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË

“Të gjithë ne, jemi në proces për t’u integruar në BE që e kemi mësuar që nuk është proces i lehtë dhe ndonjëherë është proces neurotik. Ndërkohë që flasim Shqipëria është në një situatë shumë të çuditshme, peng i një bllokimi midis fqinjit tonë RMV dhe vendit mik, Bullgarisë. Është nga ato lloj situatash që vetëm BE mund ta krijojë dhe nuk ka libër, përvojë e nuk ka ndonjë shpjegim të matur si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i një mosmarrëveshje mes dy vendeve të tjera? Por ja që kështu është siç do thoshte Donald Trump. Do na duhet të ecim përpara, të mos humbasim durimin dhe të mos humbasim pasionin për Europën”.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë një aktiviteti në Komunën e Çairit, se cili është plani B nëse nuk merret datë edhe në qershor, ai tha se është optimist që kësaj here të ketë epilog pozitiv.

ALI AHMETI, LIDERI I BDI-së

“Unë nuk jam i kampit të skeptikëve, unë shpresoj që kjo çështje të marrë epilog dhe të zgjidhet si kontest. Ka mjaft aktivitete të dendura, si nga miqtë tanë ndërkombëtarë, por gjithashtu edhe urat e komunikimit mes dy shteteve janë funksionale. Kështu që pres që epilogu të jetë pozitiv”.

Kujtojmë se, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama para disa javëve tha se, nëse Bullgaria nuk e heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut Shqipëria do ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Rama tha do kërkojë këtë në çdo instancë të BE. Megjithatë, Uashingtoni zyrtar ka hedhur poshtë opsionin që në qershor Brukseli të vlerësojë ndarazi Tiranën nga Shkupi në hapjen e negociatave. Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Ned Price tha se është koha që Maqedonia dhe Shqipëria të vazhdojnë së bashku drejt konferencës së parë ndërqeveritare për mbajtjen e së cilës administrata e Bidenit po lobon fuqishëm në Bullgari.