Rama: Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është shprehur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur.

Rama u shpreh se volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve vitin e kaluar ishte 433 milionë euro.

“Kur ne kemi nisur punën më afër dhe më intensivisht me qeveritë e Kosovës kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 milionë euro, sot ky volum për vitin që lamë pas është 433 milionë euro. Kemi hyrë në zonën ku shifrat marrin një llojë serioziteti, krahasim me shifrën shumë qesharake të 160 milionë eurosh në mes dy vendeve ndërkohë që vite të tëra ishin harxhuar në këtë drejtim”

Ai u shpreh se sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1 mijë 125 subjekte biznesi nga Kosova, përcjell Klankosova.tv.

“Sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1 mijë 125 subjekte biznesi nga Kosova, 1 mijë 81 prej të cilave janë pronësi 100 përqind e subjekteve të këtushme, ndërkohë që 145 të tjera pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri”.

Gjatë këtij fjalimi ai gjithashtu ka prezantuar projektin e portit Porto Romano që lidhet me Prishtinën, si dhe protokollin për lëvizje të lirë ndërkufitare.

Në këtë mbledhje u bë edhe marrëveshja e dy Ministrive të Arsimit të dy vendeve për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.