Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar vetëreformim në Qeveri dhe Partinë Socialiste, të cilën e udhëheq ai.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një mbledhjeje dyditore joformale me ministra të kabinetit, zëvendësministra dhe drejtorë të agjencive të ndryshme.
“Do të ketë një riorganizim dhe rikonceptim. Sesionin e ri ta nisim me një puls të ri, por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke theksuar rolin e zëvendësministrave, duke i përfshirë në vendimmarrje e edhe drejtues të agjencive të rëndësishme. Vetëreformimi është një riorganizm i procesit qeverisës në funksion të rritjes së efiçencës dhe kapaciteteve për të arritur rezultate të shpejta”, u ka thënë Rama gazetarëve, raporton REL.
Ai ka thënë, po ashtu, se do të krijohet edhe një kanal i ri ndërveprimi me ekspertë vendas dhe të huaj, me përfaqësues të botës akademike, me organizata ndërkombëtare, por edhe me individë brenda dhe jashtë Shqipërisë.