Edi Rama i gjendur përballë protestave masive të qytetarëve shqiptare ka urdhëruar policinë që të hetojë drejtuesit e marshimeve në Tiranë.
Prej 17 ditësh, me mijëra qytetarë shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit po kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të qeverisë së tij.
Ndërkohë kreu i qeverisë i frikësuar nga reagimi masiv qytetar po angazhon strukturat e policisë për të trembur protestuesit dhe për të përçarë protestën qytetare.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me bllokimin e rrugëve në qytetin e Tiranës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, nga strukturat e DVP Tiranë janë proceduar penalisht 16 shtetas, thuhet ne njoftimin e policisë së kryeqytetit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me bllokimin e rrugëve në qytetin e Tiranës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, nga strukturat e DVP Tiranë janë proceduar penalisht 16 shtetas, konkretisht:
A. K., 46 vjeç, L. K., 33 vjeçe dhe A. Ll., 30 vjeçe, E. K., 32 vjeç, A. K., 30 vjeç, T. K., 24 vjeç, M. Y., 22 vjeç, Xh. D., 23 vjeç, S. T., 22 vjeç, I. Xh., 44 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 23 vjeç, A. D., 21 vjeç, S. Gj., 33 vjeç, A. K., 30 vjeç dhe E. L., 21 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Si dhe po punohet për shoqërimin e shtetasve E. Q dhe M. C, të shpallur në kërkim policor.
Nga veprimet e deritanishme, dyshohet se këta shtetas kanë nxitur, nëpërmjet thirrjeve, pjesëmarrësit për ta vijuar tubimin përtej orarit të njoftuar nga organizatorët (18:00–22:00), duke mos respektuar perimetrin e njoftuar për këtë tubim. Si pasojë, është shkaktuar bllokim i qarkullimit të mjeteve dhe pengesë në lëvizje.
Po nga veprimet e kryera, një pjesë e pjesëmarrësve në tubim janë futur në pjesën e fan zonës, në sheshin “Skënderbej”, të përshtatur dhe të destinuar për ndjekje të aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke bërë thirrje qytetarëve që ndiqnin aktivitetin sportiv që t’i bashkoheshin tubimit.
Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Dy ditë më parë u referuan materialet dhe filloi procedimi penal edhe për 19 shtetas të tjerë.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit që të respektojnë orarin, perimetrin dhe lëvizjen, për të mos bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve jashtë perimetrit që është njoftuar për zhvillimin e tubimit.



