Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Vlorë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama përdori gjuhë të ashpër ndaj protestuesve dhe deputetit demokrat të Vlorës, Bujar Leskaj, të cilin e akuzoi për organizimin e sulmit ndaj kantierit.
“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës”, shkroi Rama.
Kryeministri e cilësoi Muzeun Hebraik si “një gur themeli të kujtesës historike” të Vlorës dhe rolit të qytetit në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e protestuesve se ndërtimi i muzeut të ri do të sillte shkatërrimin e Muzeut Labëria, i njohur edhe si Muzeu Etnografik, duke i cilësuar ato “perverse dhe shpifëse”.



