Mickoski paralajmëron: Në disa institucione po hetohen raste të reja ryshfeti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se autoritetet po ndjekin edhe disa raste të tjera të dyshuara për korrupsion në institucionet shtetërore.

Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast kur u kërkohet ryshfet nga zyrtarët.

“Po ndjekim edhe disa raste të korrupsionit në institucione dhe presim që personat t’i marrin paratë që kanë kërkuar nga qytetarët. I bëj thirrje qytetarëve të raportojnë!”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri nuk bëri të ditur se për cilat institucione bëhet fjalë dhe as sa persona janë përfshirë në denoncimet.

Gjatë ditëve të fundit janë zbuluar disa raste të dyshuara për marrje ryshfeti nga persona të punësuar në institucione shtetërore.