Rama: Do të kërkojmë të ndahemi nëse Maqedonia e Veriut nuk do ta pranojë propozimin

Shqipëria pret gjithë sy e veshë epilogun e zhvillimeve në Shkup, të cilat definojnë edhe fatin e saj në rrugën eurointegruese.

Mediat në Shqipëri, duke ju referuar burimeve diplomatike nga Presidenca Çeke e cila kryeson me BE-në që nga 1 korriku, thonë se në BE flitet me bindje se Shkupi do ta pranojë të ashtuquajturin propozim francez dhe se ka shanse të mira që një vendim pozitiv për të dy vendet të merret në mbledhjen e ambasadorëve të përhershëm të BE-së më 7 korrik.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në intervistë për Kanal 5 thotë se Shkupi duhet ta pranojë propozimin që e ka në tavolinë por, po nuk e bëri, Shqipëria do të ecë e vetme.

“Unë nuk i them Dimitar (Kovaçevskit), Qeverisë, Parlamentit, motrave dhe vëllezërve tanë maqedonas pranojeni sepse Shqipëria do të jetë në vështirësi. Jo, Shqipëria e ka kaluar pikën ku mund të ecë vetëm dhe sigurisht se do të kërkojmë të ndahemi nëse Maqedonia e Veriut nuk do ta pranojë propozimin. Por, ju them ta pranoni sepse nuk do ta ketë një propozim tjetër. Ky është i fundit” , tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ndarja si opsion nuk është pranuar deri tani nga institucionet e BE-së. Por nuk dihet nëse do të jetë kështu edhe nëse vetoja bullgare për Shkupin vazhdon./Alsat.mk