Radman: Negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të rëndësishme për kredibilitetin e BE-së

Ministri kroat i Punëve të Jashtme, Gordan Gërliq Radman, para eurodeputetëve e përsëriti se Ballkani Perëndimor është përparësi kryesore për presidencën kroate dhe në këtë kontekst hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka një rëndësi të veçantë për kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

“Kredibiliteti i Bashkimit Evropian si lojtar botëror duhet ta kalojë testin e suksesit në fqinjësinë e afërt”, deklaroi Radman para anëtarëve të komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Suksesi në fqinjësinë e BE-së për ministrin kryesisht nënkupton sukses në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Theksi duhet të vendoset në stabilitetin dhe sigurinë në fqinjësi, në rezistencë dhe përpjekjet reformuese. BE-ja ka arsye të mira për të vazhduar të përkushtohet në forcimin e kontinentit Evropian dhe të mos lejojë asnjë rajon në Evropë të largohet nga rruga”, deklaroi ai duke shtuar se në plan afatgjatë nuk është e qëndrueshme të ketë vende evropiane të cilat nuk janë anëtare në BE.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë “do të jetë shenjë e qartë se qasja e BE-së ndaj fqinjëve të saj më të afërt do të jetë strategjike”.

Shefi i diplomacisë kroate kërkoi të bëhen përpjekje maksimale edhe me Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi duhet të bëhen më dinamike, në të njëjtën kohë duke shfaqur shpresë se për Kosovën do të hapet një perspektive evropiane.

Kroacia e shpalli zgjerimin në Ballkanin Perëndimor si një nga përparësitë kryesore të saj gjatë kohës së udhëheqjes me BE-në në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Në maj në Zagreb do të mbahet samiti i liderëve të vendeve anëtare në BE dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Maqedonia e Veriut shpreson të fillojë negociatat me BE-në para këtij samiti, koha më ideale do të ishte në mars. Paraprakisht, Komisioni Evropian është i detyruar të publikojë raport për metodologjinë e re të procesit të negociatave siç kërkoi nga Franca në tetor. Ky raport ishte planifikuar të publikohet më 29 janar, por sipas burimeve të MIA-s në Komisionin Evropian, publikimi i tij është shtyrë për një javë, për më 5 shkurt.

Loading...