Radha pas Ukrainës? Ish-diplomati britanik: Perëndimi i tronditur me sinjal të qartë për serbët, ky është interesi rus në Bosnjë

Ish-diplomati britanik në Bosnjë e Hercegovinë Timothy Less, ka thënë se ka shumë rezultate të mundshme nga lufta në Ukrainë, e cila është në ditën e 18-të të saj.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, Less ka vlerësuar se ukrainasit po bëjnë luftë të mirë kundër ushtrisë ruse, me mbështetjen e shteteve Perëndimore.

Sipas tij, megjithëse ka kontura për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, nuk ka përparim në procesin e dialogut formal mes të dyja palëve.

Image

Timothy Less; Foto “Bota sot”

“Unë hezitoj të bëj ndonjë gjykim të ashpër dhe të shpejtë për atë që po ndodh atje. Ka shumë rezultate të mundshme për një luftë, e cila ka nisur vetëm qe dy javë. Unë shoh se ukrainasit po bëjnë një luftë të mirë, me mbështetjen e Perëndimit, por gjithashtu shoh forca superiore ruse që sulmojnë kundër tyre. Unë shoh konturet e një marrëveshjeje paqeje që Rusia e ka vënë në tryezë dhe presidenti Zelenskiy nuk e ka refuzuar plotësisht, por gjithashtu shoh se negociatat formale nuk po bëjnë përparim”, ka thënë udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge.

Megjithëse NATO ka theksuar se nuk do të hyjë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusisë, ish-diplomati vlerëson se Aleanca reagoi me më vendosmëri nga se pritej, duke ndihmuar me armë Ukrainën dhe duke u përpjekur ta dobësojë Rusinë përmes sanksioneve ekomike.

“Sa i përket NATO-s, ajo ka reaguar më me vendosmëri nga sa prisnin shumica e njerëzve. Udhëheqësit perëndimorë janë tronditur qartë nga sjellja e Rusisë dhe kanë vendosur që duan që ukrainasit ta mposhtin Rusinë në fushën e betejës. Për këtë qëllim, ata kanë ofruar armatime për ushtrinë ukrainase dhe janë përpjekur të dobësojnë Rusinë nga jashtë me sanksione ekonomike.

Megjithatë, NATO ka sinjalizuar gjithashtu kufijtë e përfshirjes së saj, veçanërisht se nuk do të përfshihet në luftime të drejtpërdrejta me Rusinë, e cila rrezikon një konfrontim bërthamor. Në këtë kontekst, liderët e NATO-s kanë përjashtuar një zonë ndalim-fluturimi ose transferimin e avionëve luftarakë në forcat ajrore të Ukrainës, për habinë e ukrainasve që kanë arritur në përfundimin se Perëndimi nuk është plotësisht i përkushtuar për sigurinë e tyre”, ka thënë më tej Timothy Less për “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur nëse lufta mund të përhapet në Gjerogji dhe Bosnjë e Hercegovinë, ashtu siç paralajmëroi NATO, ish-diplomati ka thënë se Perëndimi po frikësohet se Rusia do ta shtyjë këtë politikë në destinacion logjik, duke inkurajuar serbët e Bosnjës të shpallin pavarësinë e tyre.

Sipas tij, Rusia përgjatë viteve ka përdorur serbët për të shkaktuar jostabilitet, për t’i krijuar probleme SHBA-së dhe BE-së.

“Unë e kuptoj këtë argument. Disa në Perëndim e shohin se Bosnja është e paqëndrueshme, se Rusia është afër serbëve dhe se politika e Rusisë gjatë shumë viteve ka qenë përdorimi i serbëve për të mbajtur vendin në një gjendje jostabiliteti që shkakton probleme për SHBA-në dhe evropianët. Me Rusinë tani në një gjendje lufte të pashpallur me Perëndimin, dhe duke shkelur hapur integritetin territorial të shteteve, ata kanë frikë se Rusia do ta shtyjë këtë politikë në destinacionin logjik, duke inkurajuar serbët e Bosnjës të shpallin pavarësinë e tyre”, është shprehur më tej Less.

Ai ka analizuar edhe sjelljet e serbëve të Bosnjës në dy javët e fundit, të cilat sipas tij, e vërtetojnë këtë pikëpamje.

“Në një farë mase, kjo pikëpamje është vërtetuar nga sjellja e serbëve të Bosnjës në dy javët e fundit. Dodik është afruar më shumë me ambasadorin rus, ka bërë një vizitë në Moskë për të takuar Presidentin Putin, ka refuzuar të dënojë veprimet ruse, ka papagaizuar linjat ruse për bandat e armatosura të fashistëve në Ukrainë dhe ka bllokuar sanksionet kundër Rusisë, ndërsa serbët e zakonshëm kanë demonstruar në mbështetje të Rusisë me aksione në rrugë”, ka thënë Timothy Less, për gazetën.

Megjithatë, Less ka pohuar se Rusia nuk dëshiron shpërbërjen e Bosnjës, pasi interesi i saj është që Bosnja të mbetet e paprekur dhe që serbët të bllokojnë anëtarësimin e saj në NATO, duke i shkaktuar probleme Perëndimit.

“Ka një nuancë të politikës ruse ndaj Bosnjës, domethënë ajo nuk dëshiron që shteti të shpërbëhet. Rusia ka shqetësim të kufizuar për gjendjen e serbëve të Bosnjës, sado që të dyja palët të deklarojnë dashurinë e tyre vëllazërore. Në vend të kësaj, politika e saj ndaj tyre ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga interesat bazë, dhe interesi i Rusisë është të mbajë Bosnjën të paprekur për të siguruar që vendi të mbetet një problem për Perëndimin dhe që serbët të qëndrojnë të vendosur për të bllokuar anëtarësimin në NATO në emër të Bosnjës në tërësi. Kjo politikë nuk ka ndryshuar pas pushtimit të Ukrainës, e cila u bë e qartë pas takimit të Dodik me Putinin, i cili theksoi rëndësinë e Dejtonit, marrëveshje që e mban të paprekur Bosnjën”, ka theksuar ish-diplomati britanik.

Ndërsa, sa i përket pranisë së shtuar të ushtarëve të EUFOR-it në rrugët e Bosnjës, Less ka theksuar se kjo po ndodhë për herë të parë që nga vitet e 90-ta, pasi Perëndimi po vlerëson se Rusia është kërcënim për Bosnjën.

“Ju përmendni EUFOR-in dhe sigurisht, kjo është ana tjetër e historisë. Pasi arriti në përfundimin se Rusia është një kërcënim për Bosnjën, Perëndimi ka vepruar për të zbutur këtë kërcënim duke përforcuar praninë e tij ushtarake në vend. Ky është një zhvillim domethënës pasi është hera e parë që nga vitet 1990 që Perëndimi ka rritur praninë e trupave në vend dhe është një sinjal i qartë për serbët se nuk do të lejojë shkëputjen e tyre”, ka shtuar Timothy Less për gazetën./Botasot