Qyteti i Shkupit nuk bashkëpunon për rrugën “Cvetan Dimov”, thotë kryetari i Çairit Visar Ganiu

Ndërtimi i rrugës “Cvetan Dimov ka ngecur pasi që ka ngecje në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit. Kështu deklaron për Portalb.mk, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në bisedë me gazetarin e Portalb.mk, për projektin i cili do të duhej të fillonte në muajin shtator, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se premtimi për fillimin e ndërtimit të rrugës “Cvetan Dimov” apo e njohur si rruga e “Jahja Pashës” ishte që të fillojë në muajin shtator,  arteria kryesore që e lidh Komunën e Çairit me qendrën e Shkupit vazhdon të jetë në kaos. Këshilltarët e Qytetit të Shkupit në fund të majit votuan për ndarjen e 140 milionë denarëve (rreth 2,3 milionë euro) për fillimin e punimeve, ndërkaq këshilltarët e Komunës së Çairit, një javë më pas miratuan vendim për bashkëpunim ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit për këtë projekt.

“Punimet do të nisin ndoshta për dy muaj ose dy muaj e gjysmë”, deklaroi Ganiu në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit më 5 qershor.

Por, kanë kaluar mbi pesë muaj dhe në terren nuk ka ende asgjë.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Foto: Suad Bajrami
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Foto: Suad Bajrami

Në bisedë për Portalb.mk, Ganiu shprehet se projekti është bashkëpunim ndërkomunal dhe se ata i kanë kryer obligimet, por Qyteti i Shkupit nuk i kryejnë detyrat e tyre.

“Problemi për rrugën “Cvetan Dimov” kemi mbërri deri te një fazë ku është dashur vlerësimi për eksproprijimin e objekteve. Atë thirrje për furnizim publik dhe për përzgjedhjen e operatorit e ka bë Qyteti i Shkupit dhe ka mbërri në fazën finale dhe prej aty pastaj kemi pasur memorandum për bashkëpunim ndërkomunal ku një pjesë të projektit e kemi marrë ne përsipër dhe kemi bërë atë pjesën e animacionit se si do të duket rruga e “Cvetan Dimovit” dhe komisionet disa herë kanë pasur mbledhje, por prej momentit që Qyteti i Shkupit e mori si iniciativë dhe ne sot e kësaj dite nuk e dimë se ku ka mbetur”, shprehet Ganiu.

I pyetur nëse ka komunikuar me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska ai tha “vetëm me letra, në aspekt zyrtar”, por shton se ka ngecje, pasi që Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigjet kërkesave të tyre.

“Ka ngecje, për shkak se ne kemi lëshuar letër disa herë me kërkesë që komisioni i përbashkët të funksionojë dhe t’i mbajë mbledhjet dhe prej aty të dalin të gjitha ato obligimet që i kemi marrë, por nuk thirret ajo mbledhje”, tha Ganiu duke shtuar se Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigjet fare kërkesave të tyre.

Ganiu thotë se përveç për rrugën “Cvetan Dimov”, Qyteti i Shkupit nuk jep përgjigje edhe për sinjalizimin e disa rrugëve, posaçërisht për rrugën ”Ferid Murad” një prej rrugëve më të frekuentuara dhe ku disa herë ka pasur aksidente me pasoja fatale.

“Kemi kërkuar sinjalizimin e rrugëve tona që është obligim i Qytetit të Shkupit dhe nuk kemi kurrëfarë përgjigje. E kemi rrugën “Ferid Muradi”ose rruga te Princi, tre vite e gjysmë është pa sinjalizim. Nuk ka as zebra, disa herë ka pasur aty aksidente, aty e kemi një shkollë dhe një çerdhe dhe askush nuk gajlohet për atë punë dhe ajo është nën ingerencat e Qytetit të Shkupit”, thotë Ganiu.

Portalb.mk, prej muajit shtator, disa herë ka kërkuar qëndrim nga Qyteti i Shkupit, në lidhje me projektin e rrugës “Cvetan Dimov”, por deri në publikimin e këtij teksti, prej atje nuk kemi marrë përgjigje.

Ndryshe, problemi me kaosin në rrugën “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me projekt të përbashkët mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, por ky bashkëpunim deri më tani në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Ky problem shumëvjeçar, nuk ka arritur të zgjidhet edhe gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, i cili gjatë orës policore në bashkëpunim me komunën, vendosi një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Muri, sipas paralajmërimit ishte zgjidhje e përkohshme, por zgjidhja e tillë nuk është ndryshuar, ndërkaq kaosi vazhdon, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune.