Ndryshime në Gjykatën Kushtetuese: Më 2 dhjetor zgjidhet kryetari i ri

Gjykata Kushtetuese më 2 dhjetor do të zgjedhë kryetarin e ri, më shumë se një muaj para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Darko Kostadinovski, të cilit mandati i skadon më 11 janar.

Ndërkohë, Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime ka propozuar gjyqtaren Teodora Eftimovska-Bojkovska nga Gjykata Themelore e Gostivarit për anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese.

Eftimovska-Bojkovska, me prejardhje nga Tetova, ushtron funksionin e gjyqtares që nga viti 2008 dhe ka përvojë në lëndët civile.

Ajo propozohet në vend të profesorit Goce Naumovski, i cili dha dorëheqje nga funksioni i gjyqtarit kushtetues në korrik të këtij viti.

Propozimi u miratua në Komisionin parlamentar me tetë vota “pro”, pa asnjë votë kundër apo abstenim.