Qytetarët në veri kundërshtojnë aksionin kundër kontrabandës

Qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.

Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka shpërndarë disa fotografi ku shihet malli që është sekuestruar gjatë operacionit policor, që po vazhdon.
Policia e Kosovës ka shpërndarë disa fotografi ku shihet malli që është sekuestruar gjatë operacionit policor, që po vazhdon.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri.

Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 13 tetor.
Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 13 tetor.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.