Qytetarët kundër rritjes së çmimeve të karburanteve

Qytetarët kritikojnë vendimin e fundit të Qeverisë për taksën ekologjike e cila shtrenjton për 3.5 denarë çmimin e karburanteve. Të anketuar nga Alsat ata thonë se qëllimi i vetëm është mbushja e buxhetit të shtetit, në kurriz të qytetarëve.

“Dështim total i Qeverisë dhe korrupsion i madh në kurriz të popullatës 80 për qind e të cilës, mezi mbijetojnë”.

“Kjo nuk është normale por çka ka normale në këtë vend. Krejt është anormale. Shikojeni qytetin ju që shëtisni me kamerat ja këtë që çdo e shfrytëzojnë qytetarët apo shihni dritat në rrugë pesë vite të thyera dhe askush nuk prek asgjë”.

“Nga kjo Qeveri mos prit gjë tjetër më mirë. Vetëm rritje. Edhe paratë që gjoja se na japin ndihmë i marrin huazim”.

“Qeveria duhet të marrë parasysh si është standardi i qytetarëve dhe pastaj të reagojë me masa të tilla të cilët sigurisht se janë një shtrëngim i fuqishëm. Masat e tilla gjithnjë godasin qytetarin të parin por mendoj se shenjat janë që është një lloj dështimi”.

“I marrin veç për vete, për klasën punëtore nuk ka përparim. Kot është që e shtrenjtuan naftën! Unë vet jam taksist kot është makinat nuk bëjnë tym që ta ndotin ajrin. Qeveria veç për vete sheh, hipin tatimet naftën dhe mbushin arkën e shtetit”.

Ditë më parë, kryeministri Zaev tha se taksa ekologjike e cila shtrenjton çmimin e karburanteve, ka për qëllim që të tregojë se vendi por shkon drejt energjisë së gjelbër. Në vit nga kjo taksë pritet të grumbullohen rreth 34 milion euro, të cilat sipas kryeministrit do të përdoren për burimet e ripërtëritshme të energjisë.