Quçuk dhe Shider: Të gjithë liderët partiak të angazhohen për politika progresive, e jo t’i kthehen të kaluarës

Parlamenti evropian është mbështetës i madh i zgjerimit dhe i caktimit sa më të shpejtë të datës për negociata për Maqedoninë e Veriut. Më me rëndësi është vendi të vazhdojë me reformat dhe të gjithë liderët partiak të kahëzohen dhe të angazhohen për politika progresive, e të mos tentojnë t’i ndryshojnë gjërat nga e kaluara, porositën sot eurodeputetët Ilhan Quçuk dhe Andreas Shider në konferencën për shtyp në Kuvend, pas përfundimit të dialogut të tretë në kuadër të procesit Zhan Mone.

“Parlamenti evropian bën punë të madhe për zgjerimin. Miratuam rezolutë në tetor të vitit 2019, kemi shumë nisma ndërpartiake të cilat i ndërmorën kolegët e mi, grupe të ndryshme politike takohen me ambasadorë, e më pas ata gjithashtu mbajnë dialogje të nivelit të lartë. ne kemi rol të qartë që duhet ta luajmë si Parlament evropian dhe do ta përmbushim të njejtin, por gjithashtu duhet ta bindim botën se Maqedonia e Veriut, pushteti dhe opozita po i bëjnë gjërat e duhura, për të cilat ekziston dëshmi shumë e qartë, e ajo është se ku duam ta shohim vendin në të ardhmen”, tha Quçuk.

Andreas Shider, kryetar i Delegacionit në Komitetin e përzier parlamentar BE – Maqedoni e Veriut tha se më me rëndësi është të vazhdohet me reformat, por gjithashtu të vihet argumenti në reformat të cilat tashmë u zbatuan, e të cilat, vlerësoi ai, nuk ishin të lehta për vendin.

“Bëtë hapa të mëdhenj duke filluar me zgjidhjen e çështjeve të caktuara me fqinjët dhe vendosjen e një kulture më të mirë politike, por më me rëndësi është të gjithë liderët politik të kahëzohen dhe të angazhohen për politika progresive. Kjo është shumë me rëndësi, të diskutohet e ardhmja, të kërkohen zgjidhje, dhe kur të gjenden ato, të miratohen, e jo çdoherë të kthehemi prapa dhe të tentojmë t’i ndryshojmë gjërat nga e kaluara”, nënvizoi eurodeputeti Shider.