Qeverisa e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur të mbyll të gjithë kufijtë tokësor, përveç shtetasve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës ka thënë se të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë do të kontrollohen dhe do të vetizolohen në një periudhë prej 15 ditëve. Po ashtu u mor vendim që nga 16 marsi të pezullohen të gjitha linjat ajrore. “Nga 16 marsi pezullohen të gjitha linjat ajrore, përveç atyre ushtarake dhe atyre me ndihmë”, tha Kurti.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mos përhapin panikë, ndërkohë ka apeluar që kontaktin në mes njerëzve të jetë i kufizuar.

Apeli i plotë i Osmanit:

Të dashur qytetarë,

Në Kosovë tashmë u regjistruan dy rastet e para me Covid-19!

Është koha për kujdes të shtuar dhe respektim të plotë dhe strikt të të gjitha rregullave dhe udhëzimeve nga institucionet e vendit.

Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke u kujdesur me zbatimin e masave parandaluese, të cilat konsistojnë në mbajtjen e nivelit të lartë të higjienës sonë në funksion të mbrojtjes sonë dhe të të tjerëve.

Covid-19 tashmë është kërcënim global dhe është e domosdoshme të mobilizohemi dhe të solidarizohemi gjithanshëm nëse duam që këtë situatë ta tejkalojmë sa më lehtë.

Ju lutem të minimizoni kontaktin me të tjerët dhe të raportoni mbi gjëndjen tuaj të shëndetit në rast të vërejtjes së simptomave të Covid-19 në numrat e telefonave të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë para se të vendosni të drejtoheni tek institucionet shëndetësore. Vetëm në mënyrë të tillë do t`i përballojmë më lehtë pasojat e kësaj pandemie globale.

Po ashtu, bëj thirrje që të mos bëhet keqpërdorim i situatës nga askush, duke vënë theks të veçantë tek rritja e çmimemeve të produkteve dhe shërbimeve gjatë ditëve në vijim. Është kohë që thërret për solidarizim të përgjithshëm, sepse mirëqenia e secilit nga ne kontribuon në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme!

Edhe njëherë, nuk ka nevojë për panik, por për rritje të kujdesit!

Mirëmbetshi e shëndet për të gjithë! .