Qeveria Zaev – Grubi, njëjtë apo ndryshe?

Opinion nga Fatos Rushiti

Shumica e siguruar prej 62 votave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhja e pritshme e Qeverisë së re me Kryeministër Zoran Zaev, lider i LSDM-së, përmbyllë gjithçka sa i përket zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe definon qartë raportin pozitë-opozitë.

Por më shumë se kaq, kur jemi tek qeverisja dhe sa do të jetë ajo e dobishme për qytetarin shqiptar, shpejt me vie në mendja dilema: “Njëjtë apo ndryshe”.

Nga prizmi i kontinuitetit të bartësve të politikave publike, më shumë kemi emra të njejtë, por me ndërrim dikasteresh se sa ndonjë emër të ri me taban progresist në të katër partitë e koalicionit qeverisës. Personalisht i përkas idesë se faktori subjektiv, pra faktori njeri në këtër rast, determimon suksese të prekshme në realizimin e politikave publike me interes për qytetarin e thjeshtë.

Puna e parë që duhet të bëj Qeveria Zaev – Grubi , është të krijojë kushte që procesi mësimor të nisë nëpër shkolla me më shumë ndërrime dhe klasa siç bëri njëjtë Kosova duke bërë plane që të punësojë rreth njemijë mësimdhënës shtesë. Por në këtë pikë Qeveria e re – e vjetër aktualisht ndjek një qasje të papërgjegjësisë publike tërësisht banditeske.

Sot Zoan Zaev dha lajmin e madh se, mësimi do të nisë më 1 tetor, duke lënë të nënkuptohet se, mësimi do të zhvillohet përgjithësisht në distancë përveç nga klasa e parë deri në të tretën. Ish ministri i arsimit Arbër Ademi pothuajse dështoi totalisht të ndërtojë politika të shëndosha arsimore, dhe të krijojë kushte për mësimin në distancë, por më shumë vrapoi të meremetojë shkolla dhe eventualisht për interesa elektorale të ndërtojë ndonjë sallë sportive sepse nuk ishin ndërtuar qe 17 vite sa partia e tij BDI ishte dhe është në Qeveri.

Kur jemi tek Zaev ai dha sot zotimin e madh se do të pastrojë gjyqësorin ndonëse s’kishte pak ditë që kishte lidhur marrëveshje për bashkëqeverisje me një parti udhëheqësia e së cilës është me mendësi kriminale.

Kujtojmë këtu vetë liderin e BDI-së dhe eksponentë aktualë dhe të vjetër të BDI-së, njeri kryetar i komunës së Sarajit, se si ndërhynin në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve si në bahçe të vetë. Vetë Aliu sot doli e foli për veting, epo kulmi i tragji-komedisë.

Ishte po zëvendëskreministri Artan Grubi, lideri Ali Ahmeti, ish nënkryetari dhe ish zëvendëskreyeministri Sadulla Duraku që flisnin në telefon me grupin e Kumanovës bile njëri tha se i ka takuar personalisht në Kosovë duke i lutur që të mos vijnë në Kumanovë, dhe të njëjtit nuk u shkuan si dëshmitar në Gjykatë. Ec e besoji pastaj Zaevit se do të pastroj gjyqësorin. Edhe mund të tentoj por në fund të funidt kur jemi tek fshesa zor se mund ti kap të lartpërmendurit, të veshur përsëri me pushtet.

Kur politikanë të një partie në pushtet ende sillen me metoda mafioze si të ishim në Sicilinë italiane, nuk mund të kemi shpresë se mund të qeveriset ndryshe siç është qeverisur më herët.

I përzgjedhuri i Ahmetit për Ministër të Jashtëm, Bujar Osmani, krirug me profesion e merret me integrime dhe politikë ndërkombëtare, jo pse është i fushës dhe ka lënë ndonjë gjurmë në qeverisje, por vetëm pse, si i dëgjueshëm pa limit i kryetaritë partisë, mund të bëjë diçka nga ajo që nuk është bërë sa e sa vite në pushtet, të dërgojë më shumë ambasadorë shqiptar dhe konsuj të afërm me BDI-në e më pak meritorët, nëpër ambasada në vendet tjera.

Epo kjo bie në vijë me politikën liderit të BDI-së. Që të ruhet sistemi unitar i shtetit por maqedonasit ta kenë primatin e jo ne shqiptarët, në çdo lëmi, mbrojtje, politikë të jashtme, drejtësi, ekonomi, zhvilim lokal, ndërsa shqiptarët të vazhdojn të mbushin buxhetin e shtetit, me taksa dhe remitanca.

Zaev e mashtroi mirë Ahmetin, por jo pse nuk e ka ditur Ahmeti, por ky i fundit si misionar i statuskuosë së pozitës politike dhe juridike të shqiptarëve të Maqedonisëe së Veriut, ashtu si shumica e ish LPK-stëve enveristë në Shqipëri dhe Kosovë duke dështuar totalisht të bëjnë diçka drejt unifikimit të kombit shqiptar, pra Ahmeti e quan fitore të madhe të merr për 100 ditë kryeministrin dhe kryeparlamentarin duke u pajtuat me më pak pushtet në Qeveri.

Zaev, jo pse është politikan i mençur dhe evropian si paraqitet, por ndjek me përpikmëri vijën idelologjike të Akademisë Maqedonase të Shkencave që shqiptarët duhet mashtruar dhe duhut t’ua ngulësh sa herë kur paraqitet nevoja.

Dhe ja Zaev mori edhe arsimin, mbrojtjen, drejtësinë, shëndetësinë, punën dhe politikën sociale, Infrasktrukturëm pra ministritë ku kanë buxhet më të madh dhe BDI-së i la ministritë me më pak buxhet, Sistemin Politik, Ambinetin, Ekonominë, politikën e jashtme dhe finansat.

Këtë të fundit e mori prej zorit se, me vite kanë luejt qoke herë VMRO e herë LSDM, duke mos i lëshuar mjete për punësimë drejtuesve nëpër ministri, agjenci e drejtori funksionarëve të BDI-së. Pra lodhja dhe mërzitja e padurueshme ka bërë që BDI të kërkojë me çdo kusht këtë ministri. Kjo pasi BDI nuk ka pasur njerëz me karizëm të lartë dhe personaliette të fuqishme në Qeveri, siç kishte më herët PDSH me Imer Selmanin por dhe vetë lideri i saj Menduh Thaçi impononte respekt tek partnerët qeverisës maqedonas dhe ministrat e saj nuk kishin pengesa nga ministria e financave siç kishin për këto 18 vite ministra dhe funksionarë tjerë të BDI-së.

Zaev u zotua se do ta luftojë korrupsionin, duke bërë zëvendëskryeministër për luftimin e korrupsionit një njeri tejet lojal ndaj tij por pa ndonjë kapacitet intelektuar dhe profesional. Mbetet të shihet nëse Zaev mund të bëjë minimalisht që simbolët e korrupsionit në Strugë, Saraj e Çair ti çojë në burg. Por boll rëndë e ka ngaqë, aq i thellë është korrusioni në këto komuna dhe komunat tjera ku ka qeverisur BDI, sa premtimi për të luftuar korrupsionin vërtet duket aq komik para veshit dhe syrit të qytetarëve.

Kryeministri në ardhje Zoran Zaev se sa e ke vërtetë seriozisht luftën kundër korrupsuonit do të shihet nga të nominuarit e BDI-ë për drejtor, në borde Agjenci dhe drejtori. Thuhet se këtu nuk lëshojnë pe senatorët e BDI-së, Xhaferi me shokë shumë.

Ndërkaq të rinjtë e Kongresit të fundit të BDI-së do të mbahen pezull me ndonjë premtim për punësim, sistemim në vendine punës në dogana psh, të atyre që rrinë në shtëpi e marrin rroga, fenomen që nuk ndodh as në Afrikë e lëre më në vendet fqinje dhe në Evropë, do të shpresojnë për meditje si vëzhgues në zgjedhjet lokale, etj, etj, por jo dhe t’i jepen mundësi për performansë në qeverisje në poste publike. Këto janë rezervuar, për nipin, djalin e axhës, të hallës , të tezes, të kojshisë, të dajallarëve, e funksionarëve të BDI-së.

Po ç’mund të bëhet më shumë brenda këtij sistemi politik të inkrimunuar dhe korruptiv. Prandaj ankohemi se nuk po na do Evropa e Amerika. Lufta për emra dhe për poste të mëdha pa përmbajtje profesionale, pa ndryshim të sistemit juridiko kushtetues, me arsim të dobët, me kulturë të pakët, të mangët në ide, inovoacione, teknologji, industri, banka, masë kritike të pa vërejtshme, por të fortë në partizimin dh politizimin e shoqërisë dhe institucioneve, nuk ka shpresë se mund të qeveriset ndryshe në këtë shtet.

Se sa mashtruese do të jetë pala maqedonase ndaj neve shqiptarëve do të shihet edhe me regjistrimin e popullsisë të paraparë për vitin e ardhshëm ku BDI do të jetë e gatshme të heq konceptin etnik në formularët për evidentimin e popullsisë kërkesë kjo e palës maqedonase.

Fakti që BDI ësht’ 18 vite në pushet dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Entin Shtetëror të Statistikave është nën dy përqind flet më së miri se kush e ka në “dorë “shtetin dhe kush kollet në të. Prandaj kërkohet kryeminisitër shqiptar, e nuk unifikohet faktori politik shqiptar për ta kushtëzuar palën maqedonase për avancim më të madh se konturat e Marrëveshjes së Ohrit.

Sikur të ishin bërë bashkë të gjitha partitë shqiptare, BDI, ASH, AA, PDSH dhe BESA, dhe asnjëra të mos ishte kontaktuar Zoran Zaevin për të qenë në Qeveri, sigurisht që LSDM do të dorëzohej para kërkesave të partive politike shqiptare, e jo të na gjuan “ashtin” e për vete të mbajë “mishin”.

Lexues i dashur, të gjitha këto dhe shumëçka tjetër duhet t’i thotë opozita shqiptare çdo ditë, çdo javë, çdo muaj çdo vit, e jo veç tre muaj para zgjedhjeve, por meqë ajo nuk flet shumë siç duhet të flet njëmend një opozitë e konsoliduar dhe me një qasje profesionale ndaj politikave publike ku BDI degjeneron me vite, atëherë është mirë të flasim ne analistët. Tek e fundit e kemi dhe obligim qytetar të luftojmë të keqen përmes kritikës publike.

(Qëndrimet në këtë shkrim janë personale dhe jo domosdoshmërisht lidhen edhe me qëndrimet e redaksisë). Agjencia e lajmeve INA.