Legjitimiteti dhe pushteti

Nëse shqiptarët merren vesh se do të dalin nga gara etnike, siç bëri BDI-ja në këto zgjedhje, do të duhet ta dimë se pastaj nuk do të mund t’i detyrojmë partitë maqedonase që të na trajtojnë si “palë shqiptare në qeveri”. Kësaj radhe këtë detyrë do ta përmbushë koalicioni VLEN, si përfaqësim i shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv, por pas kësaj shqiptarëve u duhet një debat i gjerë i brendshëm se si mund ta rikthejnë parimin “fituesi më fituesin”.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI*

Tash, kur kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, kemi një precedencë të re, që kërkon një zgjidhje të re. Pas këtyre zgjedhjeve, janë hapur disa dilema dhe kundërthënie se kush ka të drejtë t’i përfaqësojë shqiptarët në qeveri, kush është përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve, kush është fituesi i vërtetë i zgjedhjeve në kampin shqiptar, me çfarë kriteresh fitues është Fronti Europian dhe me çfarë kriteresh fitues është koalicioni VLEN, që gjithsesi kërkojnë një elaborim pak më të thellë sesa postimet e shkurtra në rrjete sociale, që rëndom i bëjmë për ta shprehur një mendim çasti.

Marrëveshja e shkelur e Majit  

Në zgjedhjet e vitit 1998 Partia për Prosperitet Demokratik i fitoi 14 deputetë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare doli me 11 deputetë, por fituesi maqedonas i atyre zgjedhjeve (VMRO-DPMNE) e bëri qeverinë më PDSH-në, ndërsa Arbër Xhaferi e arsyetoi atë qeveri me “orientimin ideologjik”. Ndonëse ishte ky deligjitimim i votës shqiptare, kaloi disi, por nuk u lejua të përsëritet më. Andaj, pas zgjedhjeve të 5 qershorit 2006, kur Partia Demokratike Shqiptare – tash partner i BDI-së në të a.q. Fronti Europian, pranoi të hyjë në qeveri me Nikolla Gruevskin e VMRO-së, edhe pse dallimi mes tyre ishte 17 me 11 në favor të koalicionit BDI-PPD, kjo shkaktoi reagim më të madh.Opinioni shqiptar me të drejtë reagoi se “përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtet nuk mund t’i caktojë mandatari maqedonas, por vota shqiptare”. Prandaj, pas shumë presioneve politike, qytetare dhe ndërkombëtare, më 29 maj 2007 u arrit e a.q. Marrëveshja e Majit, e nënshkruar mes Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit, me të cilën – pos tjerash – u vendos rregulli që “qeverinë në Republikën e Maqedonisë do ta bëjnë fituesi i kampit maqedonas me fituesin e kampit politik shqiptar”. Dhe, pas Marrëveshjes së Ohrit, ky ishte një sukses i rëndësishëm për shqiptarët në këtë shtet, sepse kështu merrte kuptim gara etnike shqiptare në zgjedhje dhe imponohej të respektohet vullneti politik i votës shqiptare për përfaqësim në qeveri.

Rrjedhimisht, më 1 qershor 2008 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme dhe BDI-ja u bë pjesë e pushtetit. (Për rikujtim, në prill të atij viti në Bukuresht ishte mbajtur Samiti i NATO-s, ku Maqedonia nuk mori ftesë për anëtarësim për shkak të vetos greke dhe për shkak se Gruevski nuk e pranonte ndryshimin e emrit të shtetit. Dhe, kur Ahmeti në qershor të 2008-tës bëri qeveri me Gruevskin, ai nuk e kushtëzoi atë që të ndryshojë emri i shtetit, edhe pse bëhej fjalë për anëtarësim në NATO.) Dhe, kështu – pa asnjë kushtëzim për ndryshimin e emrit të shtetit – BDI-ja vijoi të jetë pjesë e qeverive me VMRO-në e Gruevskit për 8 vite të ardhshme. Kjo zgjati deri më 2016-të, kur amerikanët e vendosën në agjendë të patjetërsueshme anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016-tës, në të cilat VMRO-DPMNE-ja doli fituese me dy mandate më shumë se LSDM-ja, ndërsa BDI-ja i fitoi 10 deputetë, njësoj sa edhe opozita e ndarë shqiptare (BESA, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët), u krijua një presion ndërkombëtar që mos të lejohej që qeverinë ta bëjë Nikolla Gruevski. Andaj, që Gruevski të dërgohej në opozitë, në mënyrë që të ndryshonte emri i shtetit, Ali Ahmeti pranoi ta shkelë Marrëveshjen e Majit, ashtu që qeverinë e bëri me LSDM-në e Zoran Zaevit, që ishte humbëse formale e zgjedhjeve, ndërsa në atë qeveri hyri edhe Aleanca për Shqiptarët si plotësim i numrave.

Sado që argumenti i BDI-së edhe sot është në shpjegimet “ishte arsyeja historike e kursit euroatlantik të Maqedonisë”, “kjo ishte kërkesë amerikane” etj., për fat të keq një marrëveshje që na avanconte si komb në Maqedoni e shkeli vetë Ali Ahmeti. Që atëherë shqiptarët nuk mund të kërkojnë më që një marrëveshje që e kanë shkelur vetë t’ua respektojnë të tjerët, aq më pak kur këta “të tjerët” janë pikërisht pala me të cilët ishte arritur ajo marrëveshje më 2007.

Ndonëse zëdhënësit e BDI-së dhe megafonët e tyre propagandastikë vazhdojnë të thonë se “nuk kishte zgjidhje tjetër, pos kësaj”, kjo nuk është e vërtetë. Nëse BDI-ja do të donte që mos ta prishë Marrëveshjen e Majit, kishte mundësi që vetë të mos hynte në pushtet dhe t’ia linte rrugën opozitës shqiptare, duke e votuar një qeveri të pakicës. Kështu, sado pak, do e ruante të drejtën për t’u thirrur në respektimin e Marrëveshjes. Megjithatë, si duket pasioni për pushtet i verboi dhe kështu e shkelën atë marrëveshje.Në këtë mënyrë jo vetëm që i bënë shqiptarët “mosrespektues të marrëveshjeve”, por edhe ua dogjën shqiptarëve një të drejtë që tash e tutje mund t’i penalizonte.

Nisur nga kjo, kur këtë e kthejmë në kontekstin aktual, pala e cila ishte dëmtuar nga prishja e asaj marrëveshjeje më 2017-të, pra VMRO-DPMNE-ja, tash, si fituese e zgjedhjeve të 8 majit 2024, nuk ndjen asnjë detyrim që të flitet më për atë marrëveshje, sepse atë e ka shkelur pikërisht ai që sot kërkon respektimin e saj, pra BDI-ja.

Megjithatë, ka edhe një çështje tjetër.

Nga gara etnike në garën multietnike

Që nga fillimi i pluralizmit politik, votuesit në Maqedoninë e Veriut kanë garuar në kampe të ndara etnike: maqedonasit kanë votuar për partitë maqedonase dhe shqiptarët për partitë shqiptare. Ndonëse rendi kushtetues flet për një shtet unitar, në fakt – në kuptimin elektoral – kemi pasur një shtet binacional. Këtë u mundua ta ndryshojë Zoran Zaevi më 2016-të me konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, por që tash, pa 8 viteve, u tregua jofunksional dhe votuesit e këtij vendi përsëri u kthyen në “kampet e tyre etnike”.

Edhe pse nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të nënshkruar, shqiptarët gati gjithmonë kanë garuar në zgjedhje të ndarënë “liga”etnike dhe e kanë pranuar që fituesi i asaj gare ka të drejtë t’i përfaqësojë shqiptarët në qeveri. Pra, gara etnike ka qenë mejdani që elektorati shqiptar ka vendosur se kush duhet të jetë përfaqësuesi i tyre në pushtetin ekzekutiv. Si Lëvizje Besa më 2016-të, por edhe si Alternativë 2020, e kemi respektuar këtë vullnet politik të shqiptarëve dhe pjesë e qeverive ka qenë BDI-ja. Këtë do ta respektonim patjetër edhe në këto zgjedhje nëse BDI-ja qëndronte në garën e përballjes etnike shqiptare.

Por, më 2024 BDI-ja vendosi të ndryshojë fushën e lojës. A ishte kjo për arsye se shënonte rënie të madhe në votën shqiptare kundrejt opozitës së bashkuar në koalicionin VLEN apo dëshironte ta rriste fuqinë e përfaqësimit, kjo mbetet për t’u parë, por ajo vendosi të kalojë në fushë tjetër të garës, duke mos pranuar përballje ndërshqiptare për votën shqiptare. (Një digresion: mendoj se pranimi i komuniteteve myslimane joshumicë në kampin shqiptar është një ngjarje me rëndësi, sepse kështu i shkëput ata nga partitë maqedonase dhe kjo është një mundësi e mirë për të ardhmen, por – në anën tjetër –kjo e ka zhvlerësuar garën etnike shqiptare.) Rrjedhimisht, kur BDI-ja e krijoi Frontin Europian me partitë turke, rome, boshnjake dhe përfaqësues të torbeshëve, përveçse e ndryshoi fushën e lojës, ajo e lëkundi në themel përfaqësimin etnik shqiptar. Ajo doli nga gara etnike shqiptare dhe e zhvlerësoi këtë garë për legjitimitet të votës shqiptare. Duke mundësuar që, fjala bie, votat rome në zonën e dytë ta përcaktojnë fituesin e asaj zone, kjo e ktheu në zero kuptimin e garës elektorale shqiptare. Cili është kuptimi të fitosh te vota shqiptare nëse fituesin e zonës në fund e vendosin 4.500 votat rome?!

Në këtë mënyrë, ashtu si e zhvlerësoi Marrëveshjen e Majit  dhe kështu u dha të drejtë partive maqedonase që mos ta respektojnë fituesin e kampit politik shqiptar, duke garuar me listë multietnike më 2024 BDI-ja u dha të drejtë partive maqedonase që mos ta njohin atë më si “garuese shqiptare në zgjedhje”. Madje, sikur mos të ishte koalicioni VLEN – që vazhdon ta ruajë garën shqiptare dhe përfaqësimin e elektoratit shqiptar – veprimi i BDI-së do të ishte një dëm akoma më i madh, sepse VMRO-ja, në këtë rast hipotetikisht, mund të thoshte se “shqiptarët nuk kanë përfaqësues legjitimë në zgjedhje dhe qeverinë mund ta bëj pa shqiptarë”. Gabimi i BDI-së, mbase edhe qëllimmirë ose i shtyrë nga pasioni për pushtet, na ka penalizuar si komb kundrejt palës maqedonase dhe kjo do të jetë vështirë të riparohet për një kohë. Fati në fatkeqësi është se VMRO-ja, ndonëse ka krijuar shumicë në Kuvend, nuk mund të mos e respektojë votuesin shqiptar dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në këto zgjedhje, që në këtë rast përfaqësohen nga koalicioni VLEN.

Numrat “e pamëshirshëm”

Edhe nëse flasim me gjuhën e numrave, faktet janë “të pamëshirshme”. Që nga viti 2016-të elektorati shqiptar nuk është mbi 200.000 (këto numra konstatohen kollaj në ueb-faqen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor). Madje, viteve të fundit ky numër ka shënuar rënie.

Sa për t’i kujtuar, më 2016-të gjithsej dolën pak më shumë 200.000 vota shqiptare, prej të cilave BDI-ja i mori 86.000, ndërsa opozita e ndarë (Besa, PDSH, ASH) mbi 120.000 (BDI-ja hyri në qeveri). Pastaj, më 2020 BDI-ja i mori 104.000 vota, ndërsa opozita shqiptare (ASH-AAA) mori 81.000 vota dhe përsëri BDI-ja hyri në qeveri. Nëse elektorati shqiptar është në ato numra, edhe pse shifrat thonë se migrimi masiv e ka ulur ndjeshëm këtë shifër, në këto zgjedhje opozita e bashkuar shqiptare VLEN ka marrë 107.000 vota kundrejt 137.000 votave që i ka marrë Fronti Europian, i ngritur nga BDI-ja me komunitetet joshumicë. Këto janë shifra “të pamëshirshme”. Edhe po të jetë elektorati shqiptar aktiv 200.000 votues, përsëri koalicioni VLEN është fitues i votës shqiptare.

T’i mbledhim mendtë!

Si përfundim mund të themi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet ta ndajnë mendjen njëherë e mirë se a do të vazhdojnë ta ruajnë garën etnike shqiptare dhe a do të pranojnë që fituesi i shqiptarëve të jetë përfaqësuesi i shqiptarëve në qeveri. Nëse shqiptarët merren vesh se do të dalin nga gara etnike, siç bëri BDI-ja në këto zgjedhje, do të duhet ta dimë se pastaj nuk do të mund t’i detyrojmë partitë maqedonase që të na trajtojnë si “palë shqiptare në qeveri”. Kësaj radhe këtë detyrë do ta përmbushë koalicioni VLEN, si përfaqësim i shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv, por pas kësaj shqiptarëve u duhet një debat i gjerë i brendshëm se si mund ta rikthejnë parimin “fituesi më fituesin”. Meqë BDI-ja e ka shkelur mundësinë që këtë temë ta negociojë me partitë maqedonase, mbase kjo do të zgjidhej duke bërë një marrëveshje ndërshqiptare, pra mes partive shqiptare, se “në qeveri do të jetë ajo parti shqiptare që i fiton zgjedhjet”. Pika e dytë e kësaj marrëveshje mund të ishte se a vlen ende parimi që shqiptarët garojnë në zgjedhje me partitë e tyre etnike apo shqiptarët mund të krijojnë edhe koalicione me parti të komuniteteve joshumicë, por kjo të mos e trazojë legjitimitetin etnik shqiptar”. Mund të duket optimiste, por konteksti politik i detyron shqiptarët për një rikonsolidim dhe një ridefinim se çka nënkupton “legjitimiteti etnik shqiptar”. Neve nuk na falet që, duke prodhuar zgjidhje për ta vazhduar pushtetin, ta dëmtojmë përfaqësimin tonë kombëtar në RMV.

Deri atëherë, pra derisa operojmë me rregullat e deritanishme, BDI-së mund t’i dëshirojmë sukses në opozitë, ndërsa koalicionit VLEN mund t’i urojmë përfaqësim dinjitoz në qeveri.

 

* Autori është sekretar i përgjithshëm i Alternativës