Qeveria turke kritikohet për mungesë të planeve paraprake për shuarjen e zjarreve

Të paktën tetë persona kanë vdekur si pasojë e zjarreve në brigjet jugore të Turqisë, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë për të shuar zjarret pranë vendpushimeve bregdetare. Dy persona vdiqën në qytetin Manavgat, sipas një njoftimi nga ministri i Shëndetësisë, ndërsa dhjetë u dërguan në spitalet lokale për të marrë trajtim. Më shumë se 100 zjarre që kanë shpërthyer në Turqi gjatë pesë ditëve të fundit janë vënë nën kontroll, sipas autoriteteve. Megjithatë, zjarret vazhdojnë ende në Manavgat, Marmaris dhe Milas. Në Bodrum, u evakuuan me anije një grup turistësh dhe një staf hoteli. Që nga e mërkura, mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Bashkimi Evropian ka nisur ndihmë për Turqinë, derisa edhe vullnetarë u janë bashkuar zjarrfikësve për t’u përballur me zjarret pyjore, që kanë lënë të vdekur tetë persona dhe kanë rritur presionin ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Qeveria po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka pasur plane paraprake për shuarje të zjarreve dhe është dashur të varet nga ndihma e huaj për t’u përballur me flakët. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka falënderuar Brukselin për dërgim të një aeroplani nga Kroacia dhe dy nga Spanja. Gjithashtu edhe Rusia, Ukraina, Irani dhe Azerbajxhani kanë dërguar ndihmë për të mbështetur zjarrfikësit vendas. Qeveria turke ka premtuar rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe kompensimin e banorëve. Zjarrfikësit janë përballur të hënën edhe me disa zjarre lokale në ishullin grek Rodos, ashtu sikurse edhe në disa pjesë të Italisë dhe Spanjës. Të dhënat e Bashkimit Evropian kanë treguar se sezoni e zjarreve këtë vit, ka qenë dukshëm më shkatërruese se vitet paraprake.