Qeveria nuk përmbushi premtimin për “veting” në gjyqësorë në 100 ditët e para

Pastrimi i gjyqësorit është ende i bllokuar në modelimin e procesit përmes të cilit do të zhvillohet pastrimi i paralajmëruar në mënyrë bombastike i gjykatave nga gjyqtarët e korruptuar. Alsat mëson se po shqyrtohen disa zgjidhje. Njëra prej tyre është formimi i një organi të veçantë jashtë Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve. Këtë organ, sipas informacioneve tona, mund ta formojë Qeveria. Dhe derisa në Ministrinë e Drejtësisë ende kërkojnë zgjidhje për të zbatuar premtimin e pastrimit, paralajmërimet për zgjidhje të shpejtë tashmë ngadalë po zbehen. Data e re për prezantimin përfundimtar të modelit është Viti i Ri, megjithëse vetëm dy muaj më parë, Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq siguronte se do të ketë një zgjidhje në 100 ditët e para të qeverisë, dhe kjo është pikërisht sot.

-Ju në një nga deklaratat tuaja thatë se në 100 ditët e para të mandatit me partnerët tanë dhe profesionistët e lëmisë do të krijojmë një model që do të sigurojë pastrim efektiv të gjyqësorit. A qëndroni ende në këtë deklaratë?

“Po! Në 100 ditët e para. Në 100 ditët e para do të kemi model sipas të cilit do të zbatohet dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën jemi duke punuar”, tha Mariçiç.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nëse një gjyqtar apo prokuror vepron në mënyrë të pandërgjegjshme, kjo nuk do të thotë automatikisht shkarkim i tij. Megjithatë, do të shqyrtohet cilësia e mënyrës se si ai ka zhvilluar procedurat gjyqësore dhe nëse ka raste kur vendimet e një gjykatësi të caktuar janë rrëzuan më pas në instancat e gjykatave më të larta. Do të kontrollohen dinamika se si janë caktuar ose shtyrë seancat gjyqësore dhe nëse në disa lëndë ka elemente që ato janë lënë qëllimisht të vjetrohen. Pasi LSDM erdhi në pushtet tre vjet më parë, ata paralajmëruan veting të plotë të gjyqësorit. Ideja nuk u realizua sepse nuk mori mbështetje nga BE. Për këtë shkak, kjo ide u riformulua. Tani flitet për pastrimin ose freskim të gjyqësorit, model i cili ende po shqyrtohet./Alsat