Kapet marihuanë në Haraçinë! MPB nuk tregon asgjë, thonë se aksioni ende po vazhdon

E hënë, ora 20 e mbrëmjes. Dhjetëra makina të policisë, të përforcuara edhe nga njësitet speciale nisën aksion në Haraçinë të Shkupit. Cak i aksionit ishte vendbanimi Mojancë i kësaj Komune, ku kishte informacione për sasi të madhe të marihuanës.

“Kaq shumë policë nuk kemi parë as në 2001-shin”, i tha TV21 një banor i cili nuk deshi të flasë para kamerës.

Deri sa ekipi i TV21 ishte në vendngjarje, vazhdonin të vinin ekipe ligjore dhe të MPB-së.

Kontrolloheshin edhe banorët e lagjes. Kishim mundësi të transmetojmë nga afër atë që po ndodh, deri në momentin kur policia na detyroi të ndërpresim incizimet.

Përveç që nuk u lejua të filmohet nga vendngjarja, Ministria për Punë të Brendshme është e rezervuar edhe në dhënien e informacioneve se çfarë ndodhi mbrëmë në këtë fshat, sepse aksioni ende është në rrjedhë.

“MPB ende po vepron në lidhje me aksionin ku janë konfiskuar sasi e madhe e marihuanës. Kur do të përfundojë aksioni tërësisht do t’ju informojmë”, thonë nga MPB.

Ministria nuk konfirmon se aksioni ka përfunduar, megjithatë nga video që u shpërndanë në rrjetet sociale, shihet tërheqja e makinave të policisë, mes tyre edhe kamionë.

Nga ajo që është mësuar jozyrtarisht, janë arrestuar disa persona, ndërsa bëhet fjalë për kapje të sasisë së madhe të marihuanës që ditë më parë u vodh në një depo të marihuanës së përpunuar në fshatin Josifovë të Vallandovës./TV21