Qeveria në Beograd, nuk ka nisur asnjë program për ta ndihmuar Bujanocin as për këtë situatë me Covid-19

“Komuna e Bujanocit, ka ndarë 500 mijë dinarë (4 mijë euro) si masë emergjente për të ndihmuar familjet më të goditura. Në komunën tonë, ka më tepër se 100 persona ndaj të cilëve është shqiptuar masa e vetëizolimit-qëndrimit në shtëpi, për shkaqe të dyshimeve, sepse këta persona prej 10 marsit kanë patur udhëtime jashtë vendit. Pra këto nuk janë raste tek të cilët është identifikuar virusi, por, se ndaj tyre është shqiptuar masa e vetëizolimit, për shkak të dyshimit, se kanë udhëtuar në vendet në të cilat virusi Covid 19 është identifikuar në shumë persona. Por, akoma nuk kemi ndonjë rast të identifikuar edhe zyrtarisht, se dikush është infektuar me virusin Covid 19. Kjo është zyrtarja”, na tha ndër të tjera, z.Kamberi.

Nëpër të gjitha mediat botërore, siç po e shohim çdo ditë, temë aktuale është COVID-19. E gjithë bota duke pritur, një ditë më të mirë. Skena të ndryshme po shohim nëpër media, shumë të rënda, që po ndodhin nëpër shtete të ndryshme, por uniteti, bashkëpunimi nëmes veti, është më e lehtë, që ti përballojmë dhe ta mundim. Shtetet të fuqishme, po kërkojnë ndihmë, apo po i mirëpresin ato, sepse nuk po i dihet, se si po shpërndahet, nga një njeri në shumë të tjerë. Gjithandej, po kërkohet distancë, të qëndroni nëpër shtëpi, primare shëndeti e jeta, e pastaj vijnë të tjerat. Panikë jo, por kujdes po. Po si është gjendja në komunën e Bujanocit, se si po i përballojnë ata kësaj situate, do të flasim në një intervistë ekskluzive me të parin e kësaj komune, z.Shaip Kamberi. Kësaj here, me kushtet e njohura, kryetari i stërngarkuar, duke përcjellur çdo sekond e minutë, se çka po ndodh, si ti përballojmë, ai na pranoi me respekt për të bashkëbiseduar dhe për ti njoftuar popullatën, se si është gjendja reale. Kësaj here, nuk do të flasim për politikë, por për primaren, se si do ti përballojmë COVID-19. Për më shumë, do të ndani kohë për ta lexuar, pra për të mësuar më gjerësisht, situatën aktuale andej.

Përshëndetje z.Kamberi, fillimisht ju urojmë juve dhe familjes suaj gjitha të mirat. Të falënderoj për kohën, që do të ndani për të zhvilluar këtë intervistë, kur e dijmë, se në çfarë kohe po jetojmë, duke u ruajtur e luftuar me COVID-19. I nderuar kryetar, padyshim, se do flasim pa dorëza, duke zhveshur po shprehem ashtu dorëzat e partisë, edhe pse, sa herë që kemi pasur intervista me Ju, je shprehur lirshëm si kryetar. Na thoni, si është gjendja aktuale në Komunën e Bujanocit, sa i përket COVID-19?

Ju falënderoj edhe juve dhe përshëndes gjithë lexuesit tuaj, pa harruar edhe mërgatën tonë me shpresë, se të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë gjendje dhe do të takohemi për gëzime. Mund të thuhet, se përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, tashmë zyrtarisht të shpallur në Serbi, në Bujanoc, gjendja është në suazat e “normalitetit” të imponuar. E them këtë për faktin se akoma nuk kemi ndonjë rast të identifikuar me virusin Covid 19. Ndryshe, gjitha institucionet punojnë me orarë të shkurtuar dhe me personel të redukuar, masa këto preventive në luftë kundër pandemisë.

Cili është bashkëpunimi i juaj me drejtorinë e shtëpisë së shëndetit në Bujanoc?

Kemi komunikim të rregullt. Në mungesë të numrit të mjaftueshëm të mjekëve dhe personelit shëndetësore, komuna e Bujanocit, nga buxheti i vet ndanë mjete për të angazhuar 3-4 mjekë për të mbuluar stacionet tona shëndetësore nëpër fshatrat përreth. Fatmirësisht, edhe pse virusi është “ofruar” në qyetetin e afërt Vranjë, tek ne nuk kemi raste të identifikuara.

Duam të dëgjojmë lajmin e sigurt nga ana juaj, si i pari i komunës së Bujanocit, se a kemi të infektuar në komunën tuaj me COVID-19 edhe pse e tha më lart mes rreshtash?

Në komunën tonë, ka më tepër se 100 persona ndaj të cilëve është shqiptuar masa e vetëizolimit-qëndrimit në shtëpi, për shkaqe të dyshimeve, sepse këta persona prej 10 marsit kanë patur udhëtime jashtë vendit. Pra këto nuk janë raste tek të cilët është identifikuar virusi, por, se ndaj tyre është shqiptuar masa e vetëizolimit, për shkak të dyshimit, se kanë udhëtuar në vendet në të cilat virusi Covid 19 është identifikuar në shumë persona. Por, akoma nuk kemi ndonjë rast të identifikuar edhe zyrtarisht, se dikush është infektuar me virusin Covid 19. Kjo është zyrtarja dhe ne nuk mundemi të gëzohemi, sepse jemi në luftë nëse mundem të shprehem kështu edhe ate të vazhdueshme me COVID-19, kuptohet me ato mundësi që i kemi, gjithnjë në bashkëpunim me mantelbardhët dhe qytetarët, ku i falënderoj jashtëzakonisht.

Po, si është puna me testet, përshembull një qytetarë dëshiron të bëj testin për Covid-19, e kam fjalën, ka mjaftueshëm dhe a bëhet në Bujanoc apo në Vranjë?

Testet behën vetëm për personat për të cilët dyshohet se është i prekur me virus. Në komunën tonë nuk ka raste të këtilla prandaj edhe nuk është bërë ndonjë test. Dyshoj, se në nivel të Serbisë, ka teste të mjaftueshme nëse virusi përhapet në numër të madh personash. Nuk di se çfarë përmban dhe çka ka konkret kontigjenit i ndihmave nga Kina, por fakti se po merren masa preventive të shumta dëshmon, se autoritetet shtetërore i frikësohen më të keqes nëse virusi shtrihet gjerësisht në popullsi. Mungesa e testeve, spitaleve të përgatitura dhe gjithë ndihmës së nevojshme mjeksore mund të sjellë pasoja më të rënda. Prandaj edhe kërkohet me ngulm nga njerëzit që t’i përmbahen masave të shpallura të sigurisë. Kujdes, jo panikë, por vërtetë pa pardon, duhet kujdesë i madh.

Nëse, do të ketë ndoj të infektuar dhe përcillet për në Vranjë dhe fjala bie, nuk e njeh gjuhën serbe, a ka mundësi, që stafi spitalorë në Vranjë, të punësoj të paktën për këtë kohë ndoj doktorë për ndoj pacientë nga Lugina?

Nuk besoj, se në këtë kohë mund të ketë disponim për punësim të kuadrit. Kërkesa është bërë, do të shohim, sa do të respektohet.

Dje, lexuam një lajm të një kronike të zezë, se kinse një grua në një fshat të Bujancoit, ka ndërruar jetë dhe shkaku kryesor i kësaj vdekje është COVID-19. Sa është e vërtetë?

Nuk kemi informacione zyrtare nga spitali i Nishit për rastin konkret. Test i parë që i është bërë pacientes pas shtrirjes në spitalin e Nishit ka dalë negativë, por, për shkak të komplikimeve pacientja ka ndërruar jetë. Komuna nuk ka ndonjë dokument zyrtarë sipas të cilit dëshmohet prezenca e virusit te e ndjera. Është fakt, se deri në këto momente nuk është izoluar familja e saj, meqë në rastet e këtilla, do të duhej të bëhej edhe kjo. Enti epidemiologjik nuk e ka kërkuar një gjë të këtill.

Sigurisht, se keni organizuar ndonjë shtab emergjent për ti përballuar ndoj situate të padishërueshme?

Sipas ligjeve aktuale, secila komunë e ka Shtabin për situatë emergjente i cili merr vendimet nga kjo lëmi. Brenda shtabit kemi formuar edhe shtabin e krizave nga personat kompetent të shëndetësisë, farmacisë, Kryqit të kuq dhe institucioneve tjera. Ne kemi marrur të gjitha masat e nevojshme me ato mundësi që kemi, sepse kemi të bëjmë me një virus shumë të rëndë, ku po shohim dita ditës pasoja në vende shumë të zhvilluara. Lutemi, që të mos përjetojmë ato momente të rënda. Kujdes qytetarë të respektuar, kujdes.

Brenda ditës, na thoni drejt, sa kontakte i keni me kryesorët e mantelbardhëve për situatën aktuale?

Shtëpia e shëndetit mban kolegjiume për të vlerësuar çdo ditë situatën. Me përmbajtjen e tyre na njofton edhe neve. Drejtori Shtëpisë së Shëndetit është anëtarë i shtabit për siuata të jashtëzakonshme dhe në mbledhjet e shtabit paraqet raportin për ato që kanë ndodhur.

„Komuna ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme administrative për tu mbrojtur nga virusi“

Deri më tani, çka keni bërë si komunë, që të mos kemi të infektuar?

Komuna ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme administrative për tu mbrojtur nga virusi. Administrata komunale dhe ndërmarrjet e komunës punojnë me orarë të shkurtuar pune, puna me palë, sipas vendimit të qeverisë është hjekur tërësisht. Paraqitja e palëve bëhet me email, telefon apo me postë. Komuna ka marrë vendim për mbylljen e kafiterive, ëmbëltoreve, bastorëve, kazinove dhe gjithë lokaleve tjera ku mund të grumbullohen njerëzit. Kemi bërë dezinfektimin e hapësirave publike, trotuareve dhe shesheve të qyteteve, po planifikojmë të bëjmë dezinfektimin edhe nëpër fshatra. Duhet kuptuar kapacitetet tona, nuk e besoj, se ka njeri në këto situata, që dëshiron të ndodh e keqja. Prandaj, na duhet uniteti dhe komunikimi mes veti për tu përballur me këtë situatë shumë të rëndë.

A po i përmbahen rregullave të mara nga shteti qytetarët e Bujanocit me rrethinë?

Nuk ka probleme të theksuara, kjo edhe për shkak se javën e kaluar për shkak të motit qytetarët nuk kanë lëvizur aaq shumë. Tash me përmirësimin e motit vërehen lëvizjet e shtuara të populates, që është e dësmshme. Është ndaluar tubimi edhe nëpër sheshe dhe parqe publike. Prandaj edhe në këtë rast bëj apel tek të gjithë, që të mos lëvizin pa nevoj. Situata e kërkon një vetëdisciplinë për ta mbrojtur veten, familjen e mandaj edhe rrethin, ku jetojmë. Mungesa e durimit mund të jetë shkaktari kryesorë i shtrirjes eventuale të virusit. Kam shumë besim, se qytetarët tanë, do ti përmbahen rregullave, sepse është në të mirën e të gjithëve.

Duke qenë një lider i asaj ane, me përvojë të gjatë edhe në politikë, a na duhet më shumë se kurrë një unitet politikë atje?

Nevojitet unitet njerëzorë më përpara. Tash nuk ka kohë dhe hapësirë të merremi me problemet mes veti. Gjithmonë na duhet uniteti, sepse e dijmë të gjithë, pa unitet nuk ka rezultat të përgjithshëm pozitiv. Momenti kërkon nga të gjithë, që merren me veprimtari politike të kërkoj nga njerëzit vetëpërmbajte, mungesë të kontakteve të drejtpërdrejta sociale, por nuk do të thotë se duhet ndërprerë komunikimi. Fatmirësisht, sot, ekzistojnë rrjete të shumta sociale, që mundësojnë shoqërimin edhe nga distanca, kjo duhet të përdoret e sa më pak kontakte të drejtpërdrejta.

Çka do t`i thuash atyreve, që shikojnë të përfitojnë poena politikë në këtë situatë të rëndë, që po përballet e gjithë bota, jo vetëm komuna juaj?

E çka t’i them. Gjithmonë e kam thënë e do ta them, nuk mundem të pajtohem me të padrejtën. Jemi njerëz dhe secili ka gabime. Jemi vëllezër dhe do të vazhdojmë të respektohemi mes veti. Edhe unë përballem me të ashtuquajturit “kritizer me profesion”. Por, situata në të cilën gjendemi, rreziku real që na kanoset, fotografitë tmerruese nga Italia, Spanja e vendet e tjera, nuk të lënë kotë të merresh me ata. Edhe kësaj here ftojë të gjithë të jemi bashkë, ti ndihmojmë qytetarëve, sepse është njerëzore. Jemi një, jemi të një vendi dhe të bashkohemi për të mirë.

Po, për ato ndërrmarje të vogla, që janë mbyllur për situatën e krijuar, keni ndërrmarë diçka, apo do të ndërrmeni në të ardhmen?

Komuna e Bujanocit, ka ndarë 500 mijë dinarë (4 mijë euro) si masë emergjente për të ndihmuar familjet më të goditura. Sigurisht, që do të ndajmë edhe mjete të tjera për këto raste. Sa i përket ndihmës së biznesit, komuna nuk mundet në këtë fazë të ndërmarrë diçka konkrete. Buxhetet tona janë programuese. Finacohen programet të cilat janë menduar të realizohen për këtë vit. Sigurisht, që disa prej tyre nuk do të realizohen, prandaj napret rishikim i buxhetit për t’i orientuar ato mjete në destinacionet e nevojshme, duke parë parasysh situatën që ndodhi me COVID-19. Por, paraprakisht na duhet pëlqim nga Ministria e Financave për të orientuar buxhetet tona në fushta për të cilat na imponohen nevojat.

Si është gjendja me gjërat ushqimore për banorët e asaj ane?

Aktualisht situata është e mirë. Marketet dhe shitoret e vogla janë të furnizuara mirë dhe nuk ka ndonjë problem të theksuar.

Sa është mbështetja nga qeveria e Serbisë për këtë situatë për komunën e Bujanocit?

Akoma asgjë. Qeveria në Beograd nuk ka nisur ende asnjë program për të ndihmuar komunat e pazhvilluara lidhur me situatën aktuale. Tash kur bizneset nuk punojnë të hyrat tona janë zvogëluar. Prandaj nevojitet ndonjë program qeveritar i ndihmave.

Presheva e Bujanoci, përballen edhe me refugjatë. Komuna që drejtoni në këtë rast, ka marrë ndoj hap në këtë drejtim, që të kenë kujdes për ti strehuar, por edhe në anën tjetër, për ti ruajtur qytetarët e komunës suaj, se mos ndonjëri prej tyre mundet të jetë me COVID-19?

Kampet e refugjatëve i ka marrë në kontroll ushtria dhe nuk lejohet dalja e tyre nga vendet e strehimit. Fatbardhësisht, për momentin, nuk ka ndonjë rrezik nga ky drejtim.

Nëse ashpërsohet situata, pra po e zëjmë, se do të keni të infektuar, a keni shpresa, se qeveria e Serbisë, konkretisht Ministria e Shëndetësisë, do ju përkrahe?

Shpresojmë shumë, që mos të kemi raste. Por, në situatë të këtillë ne duhet të kërkojmë me të gjitha mjetet ndihmën. Lufta kundër virusit Covid 19 është e përgjithshme, nëse edhe në këtë luftë do të hetohen diskriminime, atëherë është shumë e shumë keq.

“Të them të drejtën, i vetmi, që është interesuar për situatën në Bujanoc është kryetar ii Gjilanit, z. Lutfi Haziri”

Ti kthehemi dy shteteve shqiptare. E dijmë, se edhe ato po përballen me situatë. Keni pasur ndoj kontaktë me Tiranën zyrtare apo Prishtinën?

Duke patur parasysh situatën në të cilën janë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, edhe për shkak të mbylljes së kufirit, nuk kemi patur kontakte. Të them të drejtën, i vetmi, që është interesuar për situatën në Bujanoc është kryetar ii Gjilanit, z. Lutfi Haziri i cili më ka thirrë për tu informuar për gjendjen këtu, tjetër askush.

Mendoni, se të paktën në këtë situatë, do të gjeni mbështetje?

Gjithmonë lus Zotin të mos kemi nevoj për ndihmë të këtilla, por, nëse ndodh, shpresoj, se do t`na ndihmojnë. Është njerëzore ndihma. Edhe ne kemi ndihmuar e do të ndihmojmë aty ku kërkohet ndihma jonë. Njerëzia është parësore.

Ka komuna e Bujanocit ndoj vend special ku do të strehohen qytetarët e mundshëm apo duhet të shkojnë në Vranjë?

Banja e Bujanocit është caktuar si qendër e karantinimit të qytetarëve nga Bujanoci e Presheva nëse paraqitet nevoja. Por, meqë spitali i vetëm rajonal është Vranja ajo mbetet edhe qendra e parë e referencës.

Po me mërgatën keni kontakte dhe çka kishit kërkuar nga ata?

Kontakte kemi. Ne kemi apeluar që të mos vijnë në këtë situatë për pushime. Askush nuk dijmë, se cka po bartim. Prandaj edhe për të mbrojtur ata nga procedura e karantinimit apo vetëizolimit, për të mbrojtur familjet e tyre kemi apeluar që mos të nien për në vendlindje në këto rrethana. Në Serbi, vala e rrezikut po llogaritet prilli, më pas, sipas parashikimeve kjo valë do të ulet, ndoshta edhe do të jetë më e lehtë për të udhëtuar.

Dihet, se ato zona, merren edhe me bujqësi, tani jemi në fillim të pranverës dhe normal, duhet vazhuar të punohet, por keni ndoj planëekspertësh, se si ti ndihmohet bujqëve?

Në Serbi, prej ora 05:00 deri në 17:00 mbretëron ndalesa e qarkullimit (ora policore) por nga kjo masë janë të përjashtuar bujqit që punojnë nëpër ara. Kjo është një konsideratë, apo një përjashtim ndihme për njerëzit, që mos të ndalin punën nga e cila mbajnë familjen.

Në fund të kësaj interviste, cila do të ishte porosia juaj për banorët e komunës së Bujanocit?

Ne po e përsërisim shpesh, e kemi bërë si moto “Rri n’Shpi, me këtë e ruan veten, familjen dhe rrethin ku jeton. Sa më të durushëm në realizimin e këtyre masave më lehtë besoj, se do ta kalojmë. Ia kam hallin e paraqitjes së epidemisë në komunat tona, ku nuk kemi spitale që menaxhojmë, nuk kemi kapacitete të përgatitura shëndetësore, rreziku mund të jetë jashtëzakonisht i madh. Prandaj, prevencioni, kujdesi është mënyra më e mirë dhe më e lirë e luftës kundër Covid 19. Rri n’Shpi, ose puno nëpër shtëpi, nga shtëpia, por, mos dil. Kujdes, kujdes!

Z.Kamberi, të falënderoj shumë për kohën dhe po besoj shumë, se do të vije dita shumë shpejt, që do të takohemi e të flasim për tema të tjera. Deri atëherë, gjitha të mirat e mirupafshim.

Gjitha të mirat edhe për Ju dhe për të gjithë. Do të vijnë ditë të mira, durim, kujdes, respekt për njëri tjetrin. Zoti na bekoftë!

Intervistoi: Dashnim HEBIBI