Qeveria kërkon “të mos spekulohet”: Nuk do të ketë rritje të pagave për 75%

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një kumtese për media, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e funksionarëve, nuk nënkupton se të njëjtëve do t’u rriten pagat për 75%, përcjell TV21.

Kjo, siç sqarojnë nga Qeveria vjen nga fakti se vendimi i fundit i GJK-së, shfuqizon vendimin paraprak të Qeverisë për të cilin kishte sjellë po ashtu vendim GJK-ja, që parashihte ngrirje të rritjes së pagave të funksionarëve.

“Edhe pse baza për përllogaritjen e pagës sipas vendiimit të Gjykatës Kushtetuese rritet, Qeveria konkretisht i shqyrton mundësitë për uljen e koeficientit për përllogaritjen e pagave të personave të emëruar për të cilët ka mundësi ligjore, me qëllim që të mos ngarkohet buxheti. Apelojmë tek personat tjerë, të bëjnë të njëjtën, në kuadër të kompetencave ligjore që i posedojnë”, thanë nga Qeveria.

Apelojnë që mos spekulohet dhe t’i iket retorikës dhe aktiviteteve populiste, të bisedohet në formë reale dhe me fakte.

Nga Qeveria shtojnë se është duke u punuar në marrëveshje kolektive dhe në Ligjin për paga, me të cilin siç thonë do të mundësohet zgjidhje sistemore e rritjes së pagave në vend.

“Në mënyrë shtesë, për momentin punohet në zgjidhje për Marrëveshje kolektive dhe Ligj për pagat me të cilin do të bëhet zgjidhje sistemore për pagat në sektorin publik dhe do të sigurohet rritje e vazhdueshme në përputhje me metodologjinë e verifikuar”, shtojnë nga Qeveria.

Përfundojnë duke thënë se “secili qytetarë meriton jetë të denjë”, dhe për këtë “punojnë nga Qeveria duke rritur pagën minimale, pagën mesatare dhe pensionet”./TV21