Shkrim: Muhamed Halili
Pas shumë peripecive para dhe paszgjedhore më në fund dyshja Zaev-Ahmeti shpallën
përbërjen e qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë Ilinditase. Është herë e parë
që nga pavarësimi i vendit formimi i qeverisë të hasë në aq pakënaqësi, polemika,
moskënaqësi midis partive politike, moskënaqësi brendapartiake dhe brenda
etnikumeve.
Gjatë tërë fushatës parazgjedhore temë dite, gati e të gjitha partive politike ishte
proklamata ilinditase e sjellur në plenumin e BDI-së me rastin e 18 vjetorit të
partisë:kryeministri shqiptar:Pse jo? Kjo proklamatë në veçanti ishte temë diskutimi e të
gjitha partive dhe edicioneve televizive dhe gazetave onlajn në gjuhën maqedonase.
Opozita shqiptare, në vend që të hartojë platformën e saj fituese dhe ta plasoj tek
zgjedhësit më shumë merrej me atë çka ka thënë Alija, pse e ka thënë dhe a do të
mundet ta realizojë ate që e ka thënë. Natyrisht se opozita kishte bindjen se ajo që
ndodhi në Kosovë me ndryshimin do të vijë edhe në Maqedoninë ilinditase dhe
Vetëvendosja dhe Albini ishin simboli parazgjedhor i tyre.
Besoj se e mbaj të drejtën të shpreh edhe mendimin tim për këto dilema të pozitës dhe
opozitës sepse e kam shkruar se është opsion që nuk fiton , por edhe e drejtë legjitime
politike e Ali Ahmetit për Naser Zyberin kryeministër. Përkraha gjithashtu opozitën që t’i
fitojë zgjedhjet, por (përkundër suksesit zgjedhor) për shkak të mosorganizimit të duhur
kjo gjë edhe kësaj rradhe nuk ndodhi. Siç u pa opozitës shqiptare, më në fund duhet
pranuar, i mungon koncepti i fitores dhe ajo që është më e rëndësishme lideri.
Unë, njësoj si ish bashkëpartiaku im Naseri (fillimisht) patëm vlerësuar se ideja e
kryeministrit shqiptar ishte një ide populiste për grumbullimin e votave nga ana e
shokut Ali sepse çështja e kryeministrit nuk është çështje etnike por numerike. Thjesht:
kryetari i partisë fituese bëhet kryeministër. Por në vende të zhvilluara ka pasur dhe ka
edhe shembuj të kundërt me këtë teori. Nuk ka rëndësi përkatësia etnike për tu bërë
kryeministër por thjesht mandatet. Kjo në hesapin e analistëve dhe njohësve të procesit
zgjedhor nuk dilte se është e realizueshme.
Megjithate proklamatën ilinditase (ndoshta nga frika) më tepër e afirmuan udhëheqsit e
subjetekeve politike maqedonase me deklaratat e tyre se është e pamundëshme në
“shtetin maqedonas” kryeministër të jetë shqiptar!
Ende nuk mund të bindem se Zaev mendon se shqiptari nuk mund të jetë kryeministër,
ashtu siç me shpejtësi fjala i doli nga goja më shpejt se sa mendimi nga truri. Jo, ai nuk
mendonte ashtu. Ai mendonte se përveçtij askush nuk mund dhe nuk duhet të ishte
mandatar. Sepse, thoshte se do ti fitojë zgjedhjet.
Rezultatet zgjedhore, fare të papritura për kampin politik shqiptar, e bënë aktuale
proklamatën e shokut Ali thënë në plenumin e 18-të të partisë për kryeministrin shqiptar.
Numri i vogël i maqedonasve që dolën në zgjedhje dhe sigurisht edhe përkrahja e idesë
për kryeministër shqiptar (ashtu siç ndodhi edhe me Blerim Rekën si president) solli të
papriturën që partitë politike shqiptare të fitojnë 28 deputetë kurse numri i tërësishëm i
deputetëve shqiptarë të jetë 32.
Rezultati i fituesit të numrit më të madh të mandateve por jo shumicën e votave e solli
Zoran Zaev-in në pozitë të palakmueshme sepse të gjitha rrugët e sigurta të të bërit
qeveri e çonin në Reçicë të Vogël. Natyrisht se kishte edhe disa opsione tjera, por
diskutabile. Sa për shembull opsionet LSDM dhe të gjitha partitë politike shqiptare ose
koalicioni i zgjëruar, edhe pse të realizueshme në praktikë, vështirë se do të jepnin
rezultate në terren.
Të dy palët e patën shumë vështirë të bëjnë qeveri sepse nga kjo nuk ngelën të
kënaqur as maqedonasit në përgjithësi dhe as shqiptarët pjesërisht. Mendoj për ata që
votuan për koalicionin ASH-AA. Maqedonasit ngelën të dëshpruar se Zaev bëri koalicon
me ata që në fushatën parazgjedhore i “dërgoi” në opozitë-(BDI-në) dhe kësaj pas
zgjedhjeve i dha fuqi më të madhe qeverisëse se sa i takon numerikisht përkundër faktit
se postin e kryeministrit e mbajti për vete.
Rrallë ka ndodhur kohëve të fundit që një post udhëheqës siç është ai i kryeministrit aq
shumë të identifikohet me përkatësinë etnike.
Në kohën kur edhe pozita dhe opozita shqiptare kishin gjasa të bëjnë qeveri (ASH-AA
më të vogla) Ahmeti e hetoi se më mirë do të ishte shqiptarët të përfshihen të gjithë në
qeveri por rreth opsionit të tij për kryeministër shqiptar se sa të vrapojnë korridoreve të
LSDM-së duke lutur për qeveri.
Liderët opozitarë shqiptarë, edhe pse shprehimisht nëpër portale online e përkrahnin
Naserin për kryeministër shqiptar por jo edhe në takime të drejtëpërdrejta sepse nuk e
pëlqenin idenë që lidershipi i BDI-së të jetë i pari që e hjek vallen.
Dikujt prej liderëve,( edhe pse disa ditë më parë u takua me Ahmetin!) iu desht leja
speciale e Zaev-it për pjesmarrje në takim, dikush u gjind në drekë miqësore me te por
ku “nuk u diskutua hyrja në qeveri”, dikush e propozoi të hënën si ditë samiti të liderëve
politik shqiptarë dhe tryeza e shumëpritur e “Platformës së Tiranës” dështoi, për fat të
keq. Sikur të shkonin politikanët shqiptarë në takim me siguri se do të akuzoheshin
mes vedi, do ta dënonin procesin e zgjedhjeve si të padrejtë dhe “me vjedhje votash”-
siç shprehen ata, por esenca do të ishte se do të hapnin debat mes vedi për hapat e
rradhës. Kështu ngeli enigmë çdo gjë por esencialja është të dihet se çka u bë me fatin
e Tryezës politike?
Megjithate te opinioni maqedonas ngeli shqetsimi dhe opinionistë, gazetarë e politikanë
thirrjen e Tryezës e alarmuan si thirrje për unifikim të partive politike shqiptare, si një e
keqe të cilës duhet përgjigjur doemos, si një nacionalizëm, shovinizëm madje edhe
fashizëm të shprehur haptas të Ali Ahmetit(Petkovski, Trajanov, Spasov, etj, etj), si
një tentim për detronizim të Zaev-it, etj , etj. Dhe, thirrja drejtuar Zaev-it dhe Mickovskit
ishte që mos ëndërrojnë rastësisht të nënshkruajnë ndonjë kushtëzim për qeveri me
kryeministër shqiptarë.
Në këto kushte dhe rrethana ishte vështirë edhe për Zaevin, (të cilin në vitin 2016
partitë politike shqiptare pa kusht e mbështetën në betejën e tij për liri, demokraci dhe
evropianizëm), si ta gjejë rrugën e të shkuarit në qeveri, por edhe për Ahmetin që t’i
spjegojë elektoratit të tij pse jo kryeministri shqiptar dhe i njejti elektorat përsëri t’ia jep
besimin në zgjedhjet e lokale dhe (ndoshta) të parakohëshme parlamentare.
Ata që politikën e kanë profesion e dijnë se politika është arti i së mundshmes, e jo i
dëshirave vetanake. Aliu nuk ka mundur ta mbështes shkuarjen e partisë në opozitë që
t’i bëjë vend opozitës shqiptare në qeveri për shkak të kryeministrit të papranueshëm
edhepse rezultati i zgjedhjeve e thoshte të kundërtën, sepse organet e partisë (ma merr
mendja) nuk kanë pasur qëndrim të unifikuar rreth kësaj çështjeje, sepse një armatë e
funksionarëve do të privoheshin nga privilegjet e tyre, që do të ishte problem në vete
për punën e mëtejme të partisë. Fundja (mos) hjekja dorë nga kryeministri shqiptar në
negociata ,ashtu si dorëhjekjet e liderëve (siç u shpreh një lider i opozitës), janë çështje
të vendimeve të organeve partiake dhe elektoratit e jo punë e analistëve apo partive
tjera politike.
Por nga ky kompromis i dhimbshëm për të dy palët Zaev nuk doli fitues. Çështja e
zavendës kryeministrit me të drejtë bashkëveprimi në punët e kryeministrit (ashtu si e
kuptova unë sqarimin në press nga Zaev e që nuk është pjesë e ligjit!) është hyrje në
zbatimin e demokracisë konsensuale. Nuk e dij kjo a do i gjasoj idesë dhe kërkesave
të Menduhit, apo do të jetë pak më ndryshe? Pastaj nuk e dij a mund të përbuzej posti i
ministrit të jashtëm si kompenzim, ministrit të financave (udhëhequr sukseshmëm nga
një shqiptar edhe gjatë PPD-së),pastaj shqiptarët në krye me Bytyqin e LSDM-së
udhëheqës të çështjeve ekonomike, të gjithë këta sa do të kontribuonin në zhvillimin
dhe përparimin e barabartë ekonomik ekonomik, atë të bujqësisë, etj.?
Përzgjedhja e cilësisë kadrovike është kriter i përcaktuar i BE-së ku kërkohen kuadro të
afta e profesionale dhe pa afera korruptive. Edhe pse kjo është punë e vendimeve
partiake mendoj se emrimi i ministrit të jashtëm nuk është punë sikur të zgjedhish plak
katundi sepse në shprehje krahas diturisë dhe profesionalizmit kandidati duhet ta ketë
edhe përvojën politike, kritere këto që i posedon kandidati i propozuar për ministër të
jashtëm gjatë udhëheqjes me sukses të eurointegrimeve. Andaj kjo i tejkalon suazat e
vendimeve të nëndegëve partiake sepse është post i interesit më të gjërë shoqëror.
Sidoqoftë, kjo qeveri do të përballet me sfida të mëdha sepse përballë do të ketë një
opozitë të fuqishme shqiptare dhe maqedonase si ASH-AA dhe VMRO –DPMNE , në
përjashtim të legjislacionit të kaluar kur partitë shqiptare me nevojë e pa nevojë e
ngrenin gishtin në parlament për “shkaqe të eurointegrimeve dhe NATO-s”. Ngelën të
shohim sa jetëgjatë do të jetë kjo qeveri.