“Qeveria e re duhet të jetë më efikase”

Profesori i së drejtës kushtetuese Riza Smaka, thotë se me arritjen e marrëveshjes për krijimin dhe funksionimin e qeverisë së re, nuk ka nevojë për një prolongim.

Smaka në RTK2 ka thënë se qeveria e re mund të jetë më efikase.

“Ka shumë çështje të pazgjidhura, shpresoj se qeveria do të jetë më aktive dhe më e suksesshme se ajo e mëparshmja, e cila ishte heterogjene, kështu që kjo qeveri mund të pritet të jetë më efikase”, tha Smaka.

Kur bëhet fjalë për rolin e Lista Serbe në qeverinë e ardhshme, Smaka beson se përfaqësuesit e këtij opsioni politik duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Lista Serbe ka pozicionin e saj, ka statusin e saj kushtetues dhe juridik, kështu që mund të qëndrojë aktiv dhe i suksesshëm në përputhje me Kushtetutën. Si qytetar i Kosovës, unë do të doja që Lista Serbe të punonte kryesisht në interes të serbëve në Kosovë”, tha Smaka, transmeton lajmi.net.

Analisti Dejan Miletiq pretendon se roli i palës serbe do të jetë konstruktiv dhe se nuk ka dilema.

“Lista Serbe nuk do të shkaktojë asnjë problem që përfaqësuesit shqiptarë të marrin detyrat e tyre dhe, përfundimisht, dy postet ministrore do të caktohen për Listën Serbe. Kjo është ajo që mund të pritet, e cila është logjike, e parashikueshme dhe mua më duket në interes të njerëzve që jetojnë në zonë ”, thekson Miletiq.

Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Miletiq, thotë se në seancën e së hënës ku pritet të votohet qeveria e re, kjo seancë sipas tij, do të jetë paqësore.

“Unë nuk pres ndonjë problem të veçantë dhe mendoj se është koha e duhur dhe e fundit që dikush të marrë përgjegjësinë si për qytetarët e Kosovës, si dhe të ardhmen e bisedimeve me Beogradin dhe gjithçka që nevojitet për të mundësuar një jetë më të mirë për njerëzit”, tha Miletiq.

Meqenëse qeveria e re e Kosovës do të ketë 15 ministri, dy duhet t’i përkasin Listës Serbe, e cila rezulton nga një detyrim kushtetues nëse qeveria ka më shumë se 12 ministri.