“Qentë” i kushtuan 3.5 milionë euro!Nikolloski kërkon hetim për borxhet dhe paditë e rrugëve

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ka kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë mënyrën e funksionimit të mëparshëm të NP “Rrugët e Maqedonisë”, e cila, sipas tij, është zhytur në borxhe prej 34 milionë eurosh.

Nikolloski tha se ndërmarrja ende ka rreth 25 milionë euro borxhe, ndërsa vetëm për dëmshpërblime të lidhura me aksidente ku automjetet kanë goditur qen janë gjykuar pagesa në vlerë prej 3.5 milionë eurosh.

Ai ngriti dyshime për një sistem të organizuar mes avokatëve, vlerësuesve dhe ekspertëve dhe tha se është e pabesueshme që para vitit 2024 të kishte kaq shumë raste të tilla.

Ministri përmendi edhe vendime nga Gjykata e Strasburgut, të cilat, sipas tij, po detyrojnë ndërmarrjen të paguajë borxhe dhe interesa ndaj kompanive kreditore.

“E ftoj Prokurorinë të lexojë raportin e auditimit dhe kallëzimin penal që personalisht e kam nënshkruar dhe të hetojë se si është punuar atje”, deklaroi Nikolloski nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, borxhi është ulur nga 34 në 25 milionë euro, ndërsa pagat e të punësuarve tani paguhen rregullisht. Ai akuzoi gjithashtu për çmime të fryra në mirëmbajtjen e rrugëve dhe asfalt, duke përmendur raste ku një ton asfalt, që kushtonte rreth 100–110 euro në treg, faturohej deri në 190 euro.