17.500 euro ryshfet! Zyrtari i Doganës kërkoi 7.500 euro, pastaj edhe 10.000 të tjera

Një zyrtar i Drejtorisë së Doganave është arrestuar pasi dyshohet se ka kërkuar dhe marrë gjithsej 17.500 euro ryshfet, njofton Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Bëhet fjalë për ndihmës-drejtorin e Sektorit për Punë Administrative-Teknike në Drejtorinë e Doganave, ndaj të cilit prokurori publik ka kërkuar masën e paraburgimit.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë periudhës prill/maj–shtator 2026, zyrtari dyshohet se ka marrë 7.500 euro lidhur me një kontratë të prokurimit publik, me qëllim që ajo të vazhdonte të zbatohej pa pengesa dhe pa rrezik anulimi.

Më pas, për një tjetër procedurë prokurimi që ishte në proces ankese, dyshohet se ka kërkuar edhe 10.000 euro, duke pretenduar se kishte ndikim mbi rrjedhën e procedurës dhe kushtet teknike.

Rasti është denoncuar nga një qytetar, pas së cilës Prokuroria, në bashkëpunim me policinë, ka zhvilluar operacionin e arrestimit.

Policia ka bërë të ditur se zyrtari është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet me para të shënuara. Pas arrestimit, ai dyshohet se tentoi të largohej, por u kap shpejt nga policia.

Prokuroria ka kërkuar që ndaj të dyshuarit të caktohet paraburgim.