Qeni problematik i Bajdenit kafshon sërish!

“Ai është një qen i ëmbël”, kështu e ka cilësuar Joe Biden qenin e tij, pastor gjerman, të quajtur Major, i cili duket se nuk është kaq i ëmbël në të vërtetë.

Vetëm pak ditë pasi u kthye nga Delaware qeni ka kafshuar përsëri një pjesëtar të personelit. Michael LaRosa, zëdhënësi i zonjës Biden, tha: “Major është akoma duke u përshtatur me mjedisin e tij të ri, ndërsa sulmoi një person teksa ishte në shëtitje”. CNN raportoi se një punonjës i Shërbimit të Parkut Kombëtar u kafshua nga qeni dhe iu desh të ndërpriste punën për të marrë ndihmë shëndetësore.

Që prej zhvendosjes, Major dhe Champ kanë pasur një sjellje mjaft agresive ndaj stafit të Shtëpisë së Bardhë. Çifti Biden e adoptoi Major në 2018-n, kur ai ishte 3 vjeç. Ai u bë qeni i parë i një qendre strehuese për kafshët që jetoi në godinën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pastori tjetër gjerman, Champ, është 13 vjeç. Një burim tha për CNN, se Major ka pasur një sjellje hiperaktive duke vrapuar, lehur dhe ndjekur stafin e Shtëpisë së Bardhë dhe personelin e sigurisë. Të dy qentë u zhvendosën në godinën presidenciale vetëm 4 ditë pas inaugurimit të Joe Biden. Zonja e Parë, Jill, ka thënë për mediat amerikane se Major dhe Champ nuk ishin mësuar me kaq shumë njerëz dhe me kaq shumë vëmendje. Ndërkohë, njëri prej tyre i shkaktoi dhe një dëmtim në këmbë presidentit Biden, i cili u detyrua të mbante një protezë për disa javë.