Qendresa, gazetare shqiptare në Zvicër: Më thonin një shqiptare s’ka shansa, por ëndërra u bë realitet!

Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia, e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

——–

Në kohë të Covid 19 dhe distancës sociale kisha lënë të takohesha me një gazetare të re që punon për 20Minuten, gazetën më të lexuar zvicerane.

Në orën e caktuar të takimit kisha përballë një vajzë shtatlartë e të bukur, që dikush mund të vinte bast se ishte zvicerane nga Alpet e Bernës. Vajza mund të ishte gjithashtu një nga 180 shtete të botës që popullojne një Zvicër multikulturale me një përqindje të konsideruar të huajsh. Qëndresa Llugiqi, kështu quhet, është një zvicerane me prejardhje nga Kosova. Për ne shqiptarët emrat Qëndresë, Fortesë, Granit, Leutrim, Liridona etj kanë lidhje me ëndërrat dhe dëshirat e prindërve për Kosovën dhe bijtë e tyre.

Për zviceranët emri i Qëndresë është problem shqiptimi, por tashmë i tejkaluar. Qëndresa është një e re zvicerane, që nuk i harron rrënjët nga vjen. Kur e pyes për dallimin midis Zvicrës dhe Kosovës (ajo ka ardhur në Konfederatën Helvetike kur ishte 4 vjeçare) më thotë sikur midis Nanës e Babës.

Do të pyesni si e qysh e njoha unë Qëndresa Llugiqin. Edhe unë fillimisht u befasova nga emri, duke naviguar 20 Minuten online ose duke e shfletuar nëpër trama e trena.

Është diçka e rrallë të lexosh në shtypin zviceran emra gazetarësh me prejardhje shqiptare. Jo për faj të zviceranëve. Por kur je i zoti apo e zonja, zviceranët nuk kanë paragjykime. Kur e meriton, zviceranët të hapin dyert e shpirtit. Xherdan Shaqiri, per shembull, në kohën e kampionateve futbollistike ishte nëpër postere dhe ekrane në të gjitha supermerkatot dhe televizionet e Zvicrës, po kështu Rita Ora, Dua Lipa kanë fanset e tyre. Mund të themi, tani zviceranët i shohin me një sy të mirë shqiptarët! Nga shembujt e mirë. Pra, sa më tepër të tillë!

Qendresa Llugiqi padyshim që është njëri prej tyre. Të punosh tek 20Minuten, si reportere e gazetës që për nga madhësia këmben vendin e parë me të dytin vetëm me Blick në një garë dhe konkurencë të fortë, e që të kesh emrin Qëndresë, duhet të jesh më e mira fare. 20Minuten shpërndahet falas nëpër stacione tramash dhe 150 stacione trenash në gjithë Zvicren. Mbi 2 milionë lexues në ditë (online ky numër është më i madh), tashmë janë mësuar prej pesë vitesh ta shohin emrin e saj nëpër storiet e kronikave. Shpesh herë e ndesh Qëndresën edhe në tren kur ajo shkon e kthehet nga redaksia, por nuk e dallon dot duke e krahasuar me fotot e saj gazmore pak hipi në Instagram.

Kur u takuam, mund të kishim shkëmbyer të puthura në faqe, por respektuam udhëzimet, duke bërë një shkelje të vogël sepse shtrënguam duart. Të dyja jemi gazetare dhe e dimë prej statistikave se Covid 19 në Zvicër është në rënie dhe kurba e të infektuarve vjen duke u rrafshuar, megjithë frikën se heqja e lockdown mund të shkaktojë një valë të dytë.

Përballë kam një të re që i ka realizuar një pjesë të ëndërrave dhe thurr të tjera edhe më të bukura. Qëndresa e ka realizuar kuptimin e emrit të saj!

Për komunitetin e madh të shqiptarëve, që me e pjesën e natyralizuar bën rreth gjysmë milioni, nuk duhej të ishte diçka e rrallë që në mediat zvicerane të kishte emra shqiptarë. Megjithatë, të rinjtë me prejardhje shqiptare, ndryshe gjenerata e dytë, (fëmijët e emigrantëve që quhen shpesh me emrin e çuditshëm me rrënjë italiane dhe mbaresë spanjolle “secondos” ), studiojnë nëpër Universitetet zvicerane dhe janë në kërkim të një të ardhmeje ndryshe nga prindërit e tyre, që erdhën në Zvicër si punëtorë sezonalë apo emigrantë politikë, sepse Kosova nën pushtim ishte pa të ardhme. Gjeneratat e para të komunitetit shqiptar, ardhur nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia u dalluan për sakrificat, sepse një pjesë të të ardhurave e dhanë si kontribut për funksionimin e shtetit paralel dhe çlirimit të Kosovës.

Tashmë ky komunitet ka ngulitur rrënjët prej më tepër se 5-6 dekadash dhe është integruar, megjithëse jo pa vështirësi, punë e mundim si pjesë e së tërës dhe rinia që ka thithur edukatën dhe kulturën zvicerane, bashkë me dashurinë si për rrënjët, ashtu edhe për degët, është e motivuar drejt suksesit.

Qëndresa Llugiqi është një shembull i padiskutueshëm suksesi. Ajo nuk e ka gjetur shtruar, por me pasion, ngulm, e punë ajo ka zbuluar edhe vetveten edhe rrugën e realizimit me sukses të ëndërrave.

Biseda jonë mori rrugë. Unë që e kisha nisur profesionin e gazetares në Tiranë pas rrezimit të diktaturës komuniste kur Qëndresa sapo kishte lindur, ndërsa ajo karierën e saj po e ndërton në një vend multikulturor si Zvicra neutrale, me një demokraci direkte dhe shtet të së drejtës të konsoliduar.

Dëshira ime për të treguar portretin e Qëndresës lidhet me rrugën e arritjeve të saj që të frymëzojë rininë zvicerane me prejardhje shqiptare, e integruar mrekullisht edhe si pjesë e Zvicrës por që nuk i harron rrënjët kurrë. Gjermanët, francezët apo italianët e natyralizuar për shkak të emrave dhe gjuhës integrohen shpejt dhe përfshihen deri në politikë soft dhe pa zhurmë, ndërsa shqiptarëve, dhe jo vetëm, u duhet më shumë djersë.

Qëndresa ka lindur në Lipjan 29 vjet më parë. Është vajza e parë midis katër fëmijëve. Babai i saj kishte studiuar në Universitetin e Prishtinës ekonomi, por situata e rëndë në Kosovë e detyroi të emigronte në Zvicër dhe, kur të krijonte një bazë të sigurt jetese, të merrte gruan me dy fëmijët e parë të lindur në Kosovë, dy të tjerët lindën në Zvicër. Qëndresa ishte vetëm 4 vjeçare.

Më poshtë po e sjell bisedën që patëm në shtjellën e një interviste.

Si do ta përkufizonte Qëndresa Qëndresën?

Qëndresa Llugiqi: Jam një e re luftëtare, nuk dorëzohem lehtë. Jam e pavarur, ashtu më rritën prindërit e mi. Jam një e re që e dua lirinë, kryesisht lirinë shpirtërore. Nuk lejoj që dikush të më vërë pranga në kurdofarë mënyre. Por jam dhe një e re shumë emocionale. Shumë njerëz këtë e vlersojnë si dobësi, por një profesionist shumë i zoti njëherë më ka thënë: emocionaliteti yt është forcë… Pasi ai u zgjodh në një pozitë të lartë dhe u tregua shumë emocional, nuk pati frikë ta kallzojë këtë publikisht. Ai më tha mua: po, nuk është dobësi të jesh emocional…

Kur të pashë nga pamja dukesh si një studente 20 vjeçare, por pastaj mësova prej teje se ke ndërtuar familjen dhe je mami e Noah Akil, një djali gati 3 vjeçar. Çdo të thotë për ty kjo?

Qëndresa Llugiqi: Jam mami me shpirt e me zemër. Djali im Noah Akil m’i ka hapur sytë që ta kuptoj botën po edhe njerëzit ma kthjellët. Pasi një kohë, nën ndikimim e shumë njerëzve dhe shumë vështirësirave, thuajse isha duke e humbur veten dalëngadalë. Lindja e bebit tim më bëri të ndryshoj. Hap pas hapi e gjeta veten dhe tash jam duke e rikrijuar një Qëndresë që i qëndron çdo situate. Djali më bëri luaneshë.

Njejtë edhe shoku im i jetës. Bashkë jemi aq bukur të lidhur me njëri-tjetrin në atë nivel që të tjerët s’mundin ta kuptojnë dashninë tonë. Veç kur marr frymë ai e kupton a jam e lumtur apo a më bën diçka stress. Më pëlqen se ai është i vendosur dhe plot temperament sikur unë dhe është pranë meje kur unë çartem, është si shkëmbi solid në dallgë. Kjo më pëlqen sepse nuk jam personazh i lehtë, nuk e kam një jetë të lehtë gjithashtu as profesionin dhe më duhet sikur thonë zviceranët «ein Fels in der Brandung». Jam e sigurt që me të lirisht shkoj në luftë dhe ia dalim…

Fole per djalin. Por ti: Si e ke patur fëmijërinë?

Qëndresa Llugiqi: Nuk kam patur një fëmijëri të lehtë, por një fëmijëri që më ka pjekur para kohe dhe tash jam e lumtun që fëmija im mundet me qenë taman fëmijë e jo si unë që isha si njëfarë plake në trupin e një fëmije. Tash bashkë me djalin mundem me qenë si fëmijë. Djali e rihapi një derë të një bote që kurrë tamam nuk e shijova, por tash e shijojmë bashkë. Plotësisht tranohemi bashkë prej lumturisë ! Hahaha !

Më përpara the se prindërit e tu të kanë bërë të pavarur. A mund të na tregosh më shumë për ata?

Qëndresa Llugiqi: Ju shpreh mirënjohjen prindërve të mi që më kanë bërë femër të fortë dhe më kanë përgatitur mjaft për këtë jetë – mami më ka treguar se me punë e durim gjithçka arrihet, njëlloj edhe babi, por ndryshe nga mami, e cila nuk flet kurrë keq për dikënd, babi më ka përgatitur për negativitetin e kësaj bote, më ka treguar edhe për botën e krimit, për pislliqet që bëjnë disa njerëz, duke na treguar ne të katër fëmijëve, jemi dy motra e dy vëllezër, se çfarë ka përjetuar ai ose njerëz të afërm. Kjo edukatë ka pasur shumë ndikim në lidhje me zgjedhjen e profesionit tim, me mënyrën se si jetoj dhe çka pres nga njerëzit dhe nga jeta…

Kur fletper veten apo per femrat, tingllon te ishe feministe. A je e përfshirë në këto lëvizjet feministe?

Qëndresa Llugiqi: Nuk është e para herë që pyetem a jam feministe. Shiko: Termin feministe shumica e përdorin për të nënvleftësuar dikënd. Por në të njëjtën kohë ka patur raste që më kanë quajtur antifeministe. S’jam as njëra dhe as tjetra në kuptimin tipik ose në të cilën identifikohen këto grupacione. E kam të edukuar prej familjes dhe kjo më ka bërë të kuptoj se i kam të njëjtat të drejta si meshkujt dhe që mundem të arrij atë çka arrijnë ata, bile edhe më shumë – nëse jap mund për diçka. Identifikohem me atë lloj Feminismus që të lejon të luftosh për të drejtat e tua si femër, por edhe të jesh Sexsymbol, ta ndjesh, ta tregosh dhe ta veshësh veten ashtu si je…

Cili është gabimi më i madh që mundet të bëjë dikush ndaj teje në jetën private por edhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Si në jetën private, ashtu edhe në atë profesionale nuk lejoj kërkënd me ma hup mundin. Ky është gabimi më i madh që dikush mundet me vepru ndaj meje. Ka ndodhur që disa njerëz komplet i kam fshirë nga jeta ime ose kur kam patur ndikim i kam «riedukuar» në atë aspekt që «Jo, me mua s’ke të drejtë të sillesh ashtu, ose ndrysho, ose s’ke çfarë lyp në jetën time». Dhe ka pas efekt.

Por si dhe pse u bëre reportere ?

Qëndresa Llugiqi: Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia, e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

Puna e reporteres të detyron të shkruash edhe për ngjarje ku marrin pjesë shqiptarë, kur ata kryejnë vepra të dënueshme. Të mirëkupton lexuesi, e kupton pozicionin tënd?

Qëndresa Llugiqi: Shumica më mirëkupton natyrisht, por ka edhe nga ata që më etiketojnë si «ajo gazetarja që flet keq për shqiptarët». Por unë asnjëherë nuk kam folur keq, unë thjeshtë e kam treguar realitetin. Më vjen keq që shumica e atyne kritikuesve nuk e njohin profesionin tim ose e kuptojnë, por i mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Unë thjeshtë e shkruaj atë që është, nëse nuk e shkruaj unë sikur është, do ta bëjë një gazetar tjetër. Është shumë e thjeshtë. Një shembull: Kur një shqiptar këtu e vrau gruan e tij, ne raportuam për të. Atëherë unë u sulmova me fyerje nga shqiptarë të ndryshëm. Shqiptari ishte i dyshuari për krim, jo unë apo ne në redaksi.

Në faqet e 20 Minuten gjenden shpeshhere lajme për shqiptarët…

Qëndresa Llugiqi: Disa na kritikojnë që 20 Minuten veç do me provoku me lajme për shqiptaret. Unë po u them keshtu: Asnjëherë nuk është qëllimi i 20 Minuten për të mërzitur keq shqiptarët ose për të provokuar pjesën tjetër të popullatës zvicerane me tema që lidhen me shqiptarët. Përkundrazi: 20 Minuten si një gazetë e pavarur mundohet me iu dhënë të gjithëve një zë. Është e saktë që ne raportojmë perseri e perseri per shqiptarët në Zvicër. Pse? Është e pamundur që t’i injorosh kur ata janë një nga grupet më të mëdha të emigrantëve dhe i përkasin grupeve tona të rëndësishme të lexuesve sepse, ashtu si italianët në të kaluarën, shqiptarët kanë një ndikim të fortë kulturor (psh. në Slang) dhe e jetojnë fuqishëm tamam identitetin e tyre.

Je ndjerë e kërcënuar gjatë ushtrimit të profesionit?

Qëndresa Llugiqi: Paramendo jo vetëm që më kanë ofenduar apo më kanë kërcënuar mua direkt qindra herë persona publikisht, po i kanë thirrur dhe prindërit e mi. Një person njëherë i tha babës tem në telefon: jam në gjendje dhe me e vra Qëndresën e me shku në burg. E tash, më trego, si kishe reaguar ti? A është fair? Besoj që shumë rrallë kolegët e mi zviceranë përjetojnë çka kam përjetuar unë…

Si gazetare me 30 vjet eksperiencë kam marrë kërcënime dhe i jam drejtuar menjëherë organeve përkatëse, ndërkohë kam shprehur publikisht qendrimin tim se cilido shqiptar që kërcënon në Zvicër gabon vendin dhe adresën. Në Zvicër i kërcënuar nga ligji është ai që kërcënon, ndërsa të kërcënuarin shteti e merr në mbrojtje. Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Fjalori sharës dhe gjuha me kërcënime a të shkakton stress dhe t’i paralizon energjitë?

Qëndresa Llugiqi: Njëherë një shok më pyti «E si mundesh ta përballosh gjithë këtë mobbing?» Është shumë e thjeshtë: kam elasticitet dhe rezistencë në nivel të lartë. Unë nuk e ul kryet, veç se pse dikush më kritikon. Kam arrit’ një pikë ku them: «Ok, më ofendojnë dhe më kërcënojnë, ama unë do ta vazhdoj punën time.” Por është fakt që kam ndërmarrë në disa raste diçka. Ka ardhur puna edhe deri në kallzim në gjyq kundër personave të ndryshëm…

Çfarë nuk lejon Qëndresa në jetë dhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Nuk lejoj struktura – qofshin nga politika, feja ose thjeshtë nga prejardhja – apo njerëzit që të ma dirigjojnë jetën. Jam open minded, besoj se është diçka themelore për një gazetare neutrale, të pavarur. I ndëgjoj njerëzit e tjerë se çfarë mendimesh kanë edhe në qoftë se mendimet e tyre nuk përputhen me konceptin e jetës time, sepse ne të gjithë e kemi të drejtën e të shprehurit, e sa nuk lëndojmë askënd e kemi këtë liri.

Je mama, grua po edhe reportere. A ke kohë të lirë dhe si e kalon?

Qëndresa Llugiqi: Boah, rrallë që kam tamam kohë për veteveten. Por kohën e lirë e shfrytëzoj duke shëtitur botën ose duke lexuar. Më pëlqejnë librat e Paulo Coelho (Der Alchemist), Robert Greene (Die 48 Gesetze der Macht), Yuval Noah Harari, John Strelecky dhe Rolf Dobelli. Një libër që e lexoj prapë e prapë është ai që ma ka propozuar një milioner: «Lebe begeistert und gewinne» – Jeto me entuziasëm dhe fito – e autorit Frank Bettger. Ndërsa kur dua të humbas mendjen nga kjo botë, lexoj Harry Potter ose Perallat e Brüder Grimm – Vëllezërve Grim.

Çfarë thotë e ardhmja për ty Qëndresa?

Qëndresa Llugiqi: Në të ardhmen çfarë dua, është të rris fëmijë të fortë dhe të pavarur, ta çoj një jetë të ëmbël me ata dhe partnerin tim, t’ua kushtoj një projekt shumë personal femrave shqiptare se thjesht e meritojnë dhe të arrij në profesionin tim si gazetare nivele të larta, duke e zhvilluar vetveten dhe në lami të tjera..

Të uroj që t’i arrish e tejkalosh të gjitha ëndërrat e tua dhe jam e sigurt për këtë!