Pushtimi i Rusisë e vë në provë “Ballkanin e Hapur”

Megjithëse përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kishin planifikuar që të mbanin një takim të ri, në mes të marsit, në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, ata u pajtuan që për shkak të luftës në Ukrainë, takimi të shtyhet për në muajin maj, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë për Radion Evropa e Lirë.

Siç kanë theksuar nga kjo odë, ky pajtim është arritur në mënyrë që deri atëherë “të gjithë mund të fokusohen në sigurimin e kushteve për funksionimin normal të ekonomive dhe të shohin efektet dhe pasojat e luftës në Ukrainë në ekonomitë tona”.

Oda Ekonomike e Serbisë vlerëson se për biznesmenët dhe kompanitë e tri shteteve anëtare të “Ballkanit të Hapur”, “kjo iniciativë është dhe do të jetë shumë e qëndrueshme”.

Por, megjithatë, nga kjo odë theksuan se “në të njëjtën kohë, ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve tragjike të luftës në Ukrainë, pasojat e të cilave në ekonominë evropiane dhe botërore askush nuk mund t’i parashikojë me siguri”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se nisma rajonale në asnjë mënyrë nuk është e rrezikuar dhe beson se do të bëhet gjithnjë e më tërheqëse.

Pasi që Federata Ruse, më 24 shkurt, nisi pushtimin e Ukrainës fqinje, i cili shpejt u shndërrua në një luftë totale, Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj Rusisë, të cilave Kremlini iu përgjigj në të njëjtën mënyrë.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Serbia dënoi pushtimin e Rusisë, por nuk iu bashkua sanksioneve, ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, dy anëtarët e tjerë të nismës ekonomike rajonale “Ballkani i Hapur”.

Qeveria e Rusisë i ka vendosur të dyja këto vende në listën e shteteve dhe territoreve të huaja që “kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, si dhe personave juridikë dhe fizikë rusë”.

Nisma “Ballkani i Hapur” është filluar nga përfaqësuesit më të lartë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me idenë për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe kapitaleve në nivel të të tria vendeve.

“Nevojitet bashkëpunim dhe solidaritet i ndërsjellë”
Nga Oda Ekonomike e Serbisë thanë për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakt të vazhdueshëm me biznesmenët për tema të ndryshme dhe shtojnë se në mesin e tyre, kriza momentale është më aktualja.

“Biznesmenët kanë nevojë për kushte të parashikueshme, për afarizëm dhe zbatim të marrëveshjeve dhe masave të arritura, të cilat do të lehtësojnë afarizmin”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Sipas tyre, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe madje edhe të të tria shteteve anëtare të “Ballkanit të Hapur” janë të fokusuara më së shumti në Bashkimin Evropian “i cili është partneri ynë më i madh tregtar i jashtëm dhe nga vjen numri më i madh i investimeve të huaja”.

“Besojmë se zbatimi i marrëveshjes do të jetë testi më i madh për suksesin e vetë nismës. Njëkohësisht, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe solidariteti i vendeve të Ballkanit Perëndimor është veçanërisht i rëndësishëm në kohë krize, gjë të cilën e tregoi bashkëpunimi i jashtëzakonshëm gjatë pandemisë”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Një nga idetë kryesore të nismëtarëve të “Ballkanit të Hapur” është liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, ndërkaq që një pjesë e këtyre lehtësive në këtë drejtim, tashmë është miratuar.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a ekziston rreziku që mallrat nga Rusia, përmes Serbisë – e cila nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit – do të jenë në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Oda Ekonomike e Serbisë thekson që nisma e “Ballkanit të Hapur”, në fushën e lehtësimit të tregtisë, ka të bëjë vetëm me mallrat me origjinë nga këto tri shtete.

“Ne jemi të sigurt se tri administratat që kanë zhvilluar një marrëdhënie pune më operacionale dhe konstruktive përmes bashkëpunimit në zbatimin e nismës ‘Ballkani i Hapur’, do të gjejnë një mënyrë për të respektuar vendimet e qeverive të tyre pa rrezikuar thelbin e nismës”, thotë Oda Ekonomike e Serbisë.

Gjithashtu, nga kjo odë është theksuar se “në një pasiguri kaq të madhe politike dhe ekonomike, me të cilën po përballen të gjithë, përfshirë edhe anëtarët e Bashkimit Evropian, ne duhet të punojmë për lidhjen dhe bashkëpunimin sa më të fortë rajonal”.

“Besojmë se bashkëpunimi i shkëlqyer mes tri shteteve, si dhe besimi që po ndërtohet ndërmjet organeve dhe agjencive shtetërore, përmes funksionalizimit të marrëveshjes, do të kontribuojnë për gjetjen e përgjigjeve për të gjitha sfidat, që të mbrojnë ekonomitë e këtyre tri vendeve dhe gjithë rajonit, si dhe që të sigurojnë që në mënyrën më të mirë të tejkalohen sfidat politike dhe ekonomike që janë përpara nesh”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Qeveria në Shkup: Iniciativa, aktualisht, nuk është e rrezikuar
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thekson se nisma “Ballkani i Hapur” nuk është rrezikuar nga kriza aktuale.

“ ‘Ballkani i Hapur’ ka qëllime, iniciativa dhe projekte të përcaktuara qartë, të cilat nuk janë të rrezikuara në asnjë mënyrë për momentin, përkundrazi, po forcohet zbatimi i asaj për të cilën është arritur pajtimi dhe po zhvillohen ide për bashkëpunim në fusha të reja”, thotë Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Nga kjo Qeveri thonë se nisma tashmë ofron rezultate konkrete, përfitime dhe lehtësime për qytetarët dhe kompanitë, gjë që, siç shtojnë, është njohur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a ekziston rreziku që mallrat ruse të importohen përmes Serbisë brenda “Ballkanit të Hapur”, të cilat për shkak të sanksioneve nuk duhet të jenë në tregjet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Qeveria në Shkup tha:

“Angazhimet e marra në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’ nuk e përjashtojnë në asnjë mënyrë respektimin e sanksioneve të parashikuara në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së në lidhje me Federatën Ruse”.

Sa i përket pikëpamjes së Serbisë për krizën ukrainase, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson që Serbia votoi, më 2 mars, në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe se Beogradi zyrtar qëndroi prapa sovranitetit të Ukrainës.

“Ky hap u mirëprit publikisht më 9 mars nga nënsekretarja e SHBA-së për çështje politike, Victoria Nuland”, përkujton Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ambasada e SHBA-së: Rusia nuk ka ‘veto’ në integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse vazhdimi i iniciativës “Ballkani i Hapur” është i qëndrueshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në situatën aktuale gjeopolitike, Ambasada e SHBA-së tha se është në dorën e shteteve anëtare të vendosin. Ajo shtoi se Federata Ruse “nuk ka ‘veto’ për integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor”.

“Ne mbetemi optimistë se anëtarët do të vazhdojnë ta avancojnë këtë qëllim përmes këtij mekanizmi dhe mekanizmave të tjerë, si dhe të punojnë për të siguruar që politikat e prekura të jenë në përputhje me Bashkimin Evropian. Demokracitë në mbarë botën janë të bashkuara në dënimin e agresionit të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson që integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor e konsideron si kyç për ndërtimin e prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë për rajonin.

“Heqja e barrierave për përmirësimin e tregtisë dhe biznesit në rajon, si dhe ndërtimi i besimit midis fqinjëve, është një veprim i zgjuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së për Radion Evropa e Lirë.

Mesazhet e zyrtarëve nga Serbia dhe Shqipëria
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka kushtuar shumë vëmendje publike “Ballkanit të Hapur”. Ai iu referua kësaj teme në një intervistë për televizionin “Pink” më 12 mars, duke thënë se Serbia është e përkushtuar për “Ballkanin e Hapur” dhe se do të furnizojë fqinjët me miell dhe mallra të tjera.

Më 10 mars, Qeveria e Serbisë ndaloi eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit. Sipas Vuçiqit, kjo është bërë për shkak se eksporti i grurit dhe miellit është rritur në mënyrë drastike ditëve të fundit.

Sipas Vuçiqit, Serbia do të heqë dorë nga 20 për qind e akcizës, për të stabilizuar çmimin e derivateve. Shteti, gjithashtu në mars, do të duhet të sigurojë një shtesë prej 150 milionë eurosh për Elektro-ekonominë e Serbisë dhe Serbiagazin, për shkak të mungesës së qymyrit dhe gazit.

Më herët, Ukraina – eksportuesi i katërt më i madh i ushqimit në botë – vendosi të bllokojë eksportet e thekrës, elbit, hikërrorit, melit, sheqerit, kripës dhe mishit, deri në fund të vitit 2022.

Më 13 mars, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria po negocionte me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit të kontraktuar nga kompanitë shqiptare.

“Besoj se do ta arrijmë këtë falë ‘Ballkanit të Hapur’ ”, tha Rama.

Në fillim të muajit mars, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se kjo nismë tashmë është “më e rëndësishme se sa dje”, dhe se këtë do ta tregojë koha.

“Ballkani i hapur” dhe çfarë është arritur deri më tani?
Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “mini-Schengen”, u themelua në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u takuan në Novi Sad, tetëdhjetë kilometra në veri të Beogradit, ku nënshkruan një deklaratë me qëllim themelimin e ‘mini-Schengen-it” mes tri vendeve.

Ideja e deklaratës, siç shpjeguan nënshkruesit, ishte që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të fillojë të funksionojë mbi katër liritë kryesore të Bashkimit Evropian – lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Që atëherë janë mbajtur disa takime të përfaqësuesve më të lartë të tre shteteve. Takimi i fundit u organizua në dhjetor të vitit 2021, në Tiranë, ku delegacionet nënshkruan marrëveshje që lehtësojnë marrjen e letrave për punëtorët nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe disa marrëveshje në fushën e inspektimit veterinar dhe fitosanitar.

Në takimet e mëparshme delegacionet e këtyre tri vendeve vendosën që lëvizja e lirë e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime dhe që nga 1 janari 2023, të hiqen kontrollet doganore. Gjithashtu, u nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim për parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Ndonëse nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është “përfshirëse” dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen asaj, vendet fqinje – Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova – nuk e shohin me entuziazëm këtë ide.

Partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan “Ballkanit të Hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për një treg të përbashkët rajonal.

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i Serbisë ndaj pushtimit rus
Më 2 mars, Serbia votoi për një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Megjithatë, Beogradi zyrtar nuk iu bashkua komunitetit ndërkombëtar në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në një deklaratë për mediat, më 10 mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ishte thelbësore që Serbia të mos merrte pjesë në luftën në Ukrainë dhe se nuk ka mungesë të artikujve, por ka karburant dhe drithëra.

Beogradi zyrtar përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën. Pasi Federata Ruse aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, Serbia e dënoi këtë veprim, por, ashtu sikurse edhe tash, nuk iu bashkua sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare kundër Rusisë.

Arsyeja për këtë është, ndër të tjera, se Beogradi zyrtar ka mbështetjen e Kremlinit në Kombet e Bashkuara për çështjen e Kosovës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli në vitin 2008.

Përveç shkakut të Kosovës, Serbia mban marrëdhënie të mira me Kremlinin edhe për gazin që e blen nga Rusia./REL