Punëtorët e kulturës në grevë, kërkojnë marrëveshje të reja kolektive

3400 punëtorë të kulturës u hodhën në grevë. Kërkojnë ripërtëritjen e marrëveshjeve kolektive, rritje të pagave si dhe kushte më të mira pune. Nga sindikata e punëtorëve të kulturës thonë se deri tek greva e përgjithshme erdhi pasi Ministria nuk ka respektuar ultimatumin e tyre. Por dikasteri i Kulturës pas fillimit të grevës së sotme thirri në takim urgjent sindikalistët. Kryetarja e Sindikatës Sanja Arsovska tha se Ministri i Kulturës ka pranuar kërkesat e tyre por me kushtin që zbatimi i tyre në vend të 1 janarit të fillojë në shtator të vitit të ardhshëm.

E vetmja sferë e Maqedonisë në të cilën për 15 vite nuk është ripërtërirë marrëveshja kolektive është sfera e kulturës. Ndërkaq sipas Ligjit për kulturë të Maqedonisë së Veriut, çdo pesë vjet duhet që ministria me institucionet e kulturës të nënshkruaj marrëveshje të reja por kjo nuk është realizuar, andaj sot në mënyrë simbolike, institucionet e kulturës, pra punonjësit e kulturës, duke përfshirë këtu artistët, personelit teknik dhe administratën mbajmë grevë pra është ditë jo pune, si shenjë revolte ndaj neglizhencës së ministrisë së kulturës – deklaroi Elmir Sejfullai, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të IN Teatri i Tetovës.