Punëdhënësit në Maqedoni kërkojnë subvencione shtetërore për pagesën e kontributeve ndaj punëtorëve

Qeveria ende nuk i është përgjigjur nismës së punëdhënësve për të zgjatur masën për subvencionimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore edhe pas datës 31 tetor.

Ligji për subvencionimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore në bazë të rritjes së pagave u miratua në nëntor 2019 për të motivuar kompanitë që të rrisin pagat.

Sipas statistikave, paga mesatare nga nëntori 2019 deri në korrik 2022 është rritur me 23%, dhe për të njëjtën periudhë, paga minimale është rritur me 24%.

Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se subvencionet variojnë mesatarisht nga 10 deri në 15% të kontributeve të llogaritura ose rreth 5% të totalit të pagës bruto.

“Nëse kërkesa jonë nuk pranohet, do të rriten shpenzimet operative dhe së bashku me krizën energjetike, sigurisht që kjo do të ndikojë në pagesën e rregullt të pagave dhe do të ndalojë rritjen e të ardhurave mujore”, thonë nga Organizata e Punëdhënësve.

Reklama

Instituti për Kërkime Ekonomike Finance Think thotë se subvencionet duhet të ridizajnohen.

Finance Think vlerësoi në vitin 2017 se ekziston një grup i madh punëtorësh që janë të siguruar vetëm formalisht dhe ligjërisht me pagën minimale dhe shtesa u jepet “në dorë”, për të shmangur pagesën e taksave dhe kontributeve.

Një pjesë e rritjes së pagës mesatare në tre vitet e mëparshme ka ardhur pikërisht nga subvencionimi i kontributeve.