Kina publikoi të enjten një plan veprimi për arritjen e kulmit të karbonit gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), duke përcaktuar një program për të përmbushur objektivin e saj për kulmin e lëshimeve të dioksidit të karbonit para vitit 2030, ndërsa përshpejton kalimin drejt një strukture më të pastër energjetike.
Plani përcakton një objektiv për uljen me 17 % nga nivelet e vitit 2025 të lëshimeve të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së deri më 2030, si edhe për të rritur pjesën e lëndëve djegëse jofosile në konsumin e përgjithshëm të energjisë në 25 % deri në fund të dekadës.
Sipas Wang Kan, drejtor i Njësisës së Karbonit të Dyfishtë në Qendrën Kombëtare për Kursimin e Energjisë të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës (NDRC), energjia jofosile përbënte 21.7 % të konsumit të energjisë në Kinë vjet. Rritja e kësaj pjese në 25 % gjatë pesë viteve të ardhshme do të jetë çelësi për përmbushjen e objektivit për uljen e intensitetit të karbonit.
Për të arritur këto qëllime, plani kërkon optimizim më të shpejtë të strukturës energjetike duke zgjeruar zhvillimin e energjisë jofosile. Gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar, Kina do të përshpejtojë përpjekjet për të siguruar që e gjithë kërkesa shtesë për energji elektrike të plotësohet nga prodhimi i ri i energjisë së pastër.
Foto nga VCG
Tian Zhiyu, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Energjisë pranë Institutit të Kërkimit të Energjisë të NDRC-së, deklaroi se ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm në sfondin e paqëndrueshmërisë në tregjet dhe rrugët e transportit globale të energjisë. Ai tha se tranzicioni do të ndihmojë në forcimin e themelit për zhvillim me cilësi të lartë, ndërsa e shndërron sistemin energjetik kinez nga një sistem i zotëruar nga qymyri në një të udhëhequr nga energjia jofosile, duke tejkaluar një fazë të zgjatur mbizotërimi të naftës dhe gazit.
Plani i veprimit i kushton gjithashtu më shumë rëndësi zhvillimit industrial të gjelbër dhe me pak karbon.
Ai bën thirrje për përmirësime më të thella lidhur me pakësimin e lëshimit të karbonit në të tëra industritë tradicionale, përfshirë çelikun, aluminin elektrolitik, çimenton, xhamin e sheshtë, petrokiminë dhe industrinë kimike, nëpërmjet projekteve të kursimit të energjisë dhe uljes së karbonit. Në të njëjtën kohë, ai nxit zhvillimin e industrive të reja të gjelbra, si energjia e ripërtëritshme, prodhimi i gjelbër dhe shërbimet e gjelbra.
Deri në vitin 2030, Kina planifikon të ndërtojë rreth 100 parqe industriale me lëshim zero karboni në nivel kombëtar dhe rreth 500 fabrika me lëshim zero karboni. Plani gjithashtu propozon zhvillimin e një numri korridoresh transporti me lëshim zero karboni, duke përfshirë autostrada dhe rrugë ujore të brendshme.
Foto nga VCG
Në sektorin e ndërtimit, plani promovon sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje me lëshim të paktë ose pa lëshim karboni, projekte ndriçimi të gjelbër, përdorim më të gjerë të ndriçimit LED me efikasitet të lartë dhe integrimin e sistemeve fotovoltaike diellore në ndërtesa.
Në transport, Kina synon të rrisë pjesën e automjeteve me energji të re në numrin e përgjithshëm të automjeteve të vendit në rreth 30% deri në vitin 2030, si edhe të automjeteve të transportit komercial me energji të re në 25 %.



