Publikohen të tjera pamje nga arrestimi i sulmuesit dhe gjendja e Bebe Rexhës pas lëndimit në koncertin famëkeq

Një incident u shënua të dielën mbrëma në koncertin e artistes shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

Teksa po përmbyllte koncertin e saj në New York me një simbol të shqiponjës të bërë me duar, një person nga turma hodhi celularin në drejtim të saj.

Kjo bëri që ngjarja në fjalë të pushtojë të gjitha mediat ndërkombëtare, duke shkaktuar irritime dhe reagime të shumta në internet.

Burri i quajtur Nicolas Malvagna është vënë tashmë nën prangat e autoriteteve dhe pritet të dalë para gjyqit të hënën e javës së ardhshme, ndërsa vet Bebe Rexha “i qetësoi” fansat e saj mbrëmjen e së hënë, duke iu treguar gjendjen e saj.

Ajo publikoi dy fotografi në llogarinë e saj në Instagram, ku shiheshin qepjet që janë kryer në fytyrën e saj pas sulmit. Sipas mamasë së saj, Bukurijes, asaj i janë kryer tri qepje në fytyrë pas incidentit.

Interpretuesja e hitit “Me, Myself and I” më pas publikoi edhe një video tjetër në InstaStory, për të dokumentuar gjendjen e saj pa tretmanit mjekësor, ndonëse vetëm disa minuta më pas për arsye të panjohura e fshiu.

Imazhe të tjera përfshinin një video që 33-vjeçarja e ndau me ndjekësit e saj në TikTok, ku mund të shihej me syze duke treguar plagën e saj, teksa thoshte përgjatë videos: “Jam mirë, po ndjehem mirë”, të cilat janë vargjet e këngës së saj hit “I’m Good (Blue)” me David Guettan.

Koncerti i saj në New York përndryshe është mbajtur në kuadër të turneut të saj “Best F**N Night Of My Life”, i cili po mbahet fillimisht në Amerikës, para se të kalojë më pas në Evropë.

Bebe Rexha (Foto: Bebe Rexha/Instagram)