Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka publikuar disa fotografi të personave të dyshuar që kanë kryer masakrën në Reçak.
Zyberaj përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka publikuar fotografi me të dhëna personale të të gjithë të dyshuarve.
“Për rikujtim: Këta janë disa nga kryesit e masakrës së Reçakut.#Kosova nuk do të harrojë asnjëherë”, ka shkruar Zyberaj në mbishkrimin e fotografive të publikuara.
Publikimi i këtyre të dhënave nga Zyberaj vjen në 21-vjetorin e përkujtimit të një prej masakrave më të tmerrshme të kryer nga aparati shtetëror serb ndaj civilëve shqiptarë.