PSG-ja assesi të heqë dorë nga Pogba

Merkato faraonike që po kryen PSG nuk pritet të ndalet tani. Objektivi i deklaruar është Paul Pogba dhe edhe pse ka pasur një ngadalësim në javën e fundit, britanikja “the Athletic” raporton se kontaktet kanë rifilluar në mënyrë intensive në dy akse, PSG-Pogba dhe PSG-Manchester United.

Edhe pse kontrata mes mesfushorit francez dhe klubit anglez skadon vetëm një vit nga sot, Manchester United nuk kërkon të ulë asnjë qindarkë nga 60 milion eurot që i ka vendosur si çmim kartonit të futbollistit, dhe në këtë pikë negociatat vazhdojnë edhe pse marrëveshje për momentin nuk ka, ndërkohë që dhe vetë Pogba pretendon 18 milion euro në sezon.

PSG pavarësisht se që në çastin kur Sheiku Al Khealiffi mori drejtimin e klubit ka pasur gjithmonë një buxhet të rëndësishëm, duket se nuk është gati t’i ofrojë 28-vjeçarit një shifër të tillë, pa harruar që do t’i paguajë komisione të kripura edhe përfaqësuesit të Pogbas, Mino Raiolës.

Për momentin dëshira e PSG për ta sjellë futbollistin e kombëtares franceze në kryeqytetin e Francës është e madhe, por kërkesat e larta financiare të Manchesterit dhe të lojtarit kanë bërë që marrëveshja të jetë ende larg, edhe pse kontaktet janë shtuar ndjeshëm me shpresën e parisienëve që klubi dhe Pogba të reduktojnë deri diku pretendimet e tyre.

Në sezonin e shkuar mesfushori zbriti në fushë 42 herë me skuadrën angleze duke shënuar 6 gola e dhuruar 9 asiste.