PSG bllokon transferimin e Marco Asensios te gjiganti gjerman

Marco Asensio ishte shumë pranë të ndryshojë skuadër në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi spanjoll është që gjashtë muaj pjesë e Paris Saint Germain ku iu bashkua nga Real Madridi, por ai nuk ka arritur të lë gjurmë deri më tani në Francë pasi nuk po preferohet shumë nga Luis Enrique.

Hapësirat e pakta të tij është mundur t’i shfrytëzojë Xabi Alonso pasi ka kërkuar transferimin e tij te Bayer Leverkusen, por kërkesa e klubit gjerman nuk ka marrë miratimin e PSG-së.

Leverkusen e kërkoi huazimin e lojtarit me të drejtë blerje në fund të sezonit, por kjo ofertë është hedhur poshtë nga kampioni në fuqi i Francës.

28-vjeçari ishte i gatshëm të largohet pasi numëron vetëm 12 ndeshje këtë edicion ku ka shënuar katër gola e ka asistuar në tre të tjerë pasi dëshiron të ketë më shumë hapësira.

Gjithsesi në mediat gjermane shkruhet se Leverkusen do të tentojë sërish gjatë ditës së sotme që të mbyllë marrëveshjen me PSG-në, pasi dëshira e madhe e Xabi Alonsos është ta ketë nën urdhrat e tij bashkëkombësin e vet Marco Asensio.

Orët e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e Asensios dhe do të mësohet nëse do t’i bashkohet Leverkusenit apo do të vazhdoj qëndrimin në ‘Parc de Princes’.