Pse të gjithë po flasin për BFI-në?

Nga Fitim Nuhiu

Më bëri përshtypje dhe s’munda të mos shkruaj, teksa dëgjoja lajmet e mbrëmjes, në një intervistë, një imam xhamie, Maksut Abazi, kur tha se: Reisi i ri duhet të jetë pa afera korruptive, ndërsa BFI duhet të reformohet rrënjësisht përmes një procesi transparent.
Më mjaftoi ky shqetësim i këtij imami, të kuptoj se deri ku ka shkuar ligësia e këtij institucioni, që ka operuar deritani, (pra siç e kemi parë edhe ne nga jashtë) krejt ndryshe nga fryma dhe morali fetar islam, dhe pse ky institucion ka ardhur deri në këtë pikë, është çështje që fillimisht i takon moralit dhe mendësisë sonë kolektive si popull, veçanërisht interpretimit fetar, dhe gjithashtu i takon edhe pushteteve që kishte dhe që ka aktualisht në Maqedoninë e Veriut, që kanë lejuar që një institucion i tillë të degradon deri në këtë shkallë demoralizimi institucional.
Me tekstin “Të reformohet rrënjësisht” nënkuptova se në BFI nuk është vetëm një Sulejman Rexhepi, por ai pas vetes ka akoma aparaturën e tij, që synon akoma të vazhdojë qëllimet e tij të errëta duke shfrytëzuar servilët e tij dhe pa mos pasur reforma rrënjësore, pa mos ndryshuar akterët e dikurshëm, vështirë se mund të ndryshohet ky institucion, kur dihet se akoma marrin frymë në atë institucion njerëzit e Sulejman Rexhepit. (Për ligësitë e tij nuk preferoj të shkruaj shumë, sepse ato tashmë dihen botërisht, sepse ka instanca institucionalë që supozohet të merren me to, por s’mund pa përmend se ai ose institucioni i tij ishte që flirtoi me të gjitha partitë politike dhe vepronte sikur të ishte një ‘parti satelite’ që nuk dallonte nga partitë politike dhe aferat e tyre korruptive; Ai mori kallëzime penale nga më të ndryshmet, sidomos ai i fundit ishte skandal në vete, se si kërcënoi qeverinë, se ‘nëse nuk na financoni, do të bëhet Banglladesh’ duke shfrytëzuar besimtarët si mish për top duke nxjerrë nëpër xhami, në mosbindje civile, mjaftojnë veprime të tilla në kohëra krizash dhe kupton se çfarë qëllimesh kishte, etj.)
Gjithashtu me vëmendje kam përcjellur edhe reagimet dhe ankesat e disa nga hoxhallarët dhe imamët e xhamive që ishin nën ombrellën e Sulejman Rexhepit, që pasi ‘këshilli’ i BFI-së e shkarkoi atë, u shfaqën dhe i erdhi zëri, duke ndryshuar nga zëri i dridhur në zë të fuqishëm duke deklaruar fraza të tilla që:
“asnjëherë nuk iu kam bindur urdhërave të tij”.
Për mendimin tim, kjo fjali dëshmon dhe ka shumë anë të errëta:

• Në krye të BFI-së ishte një njeri jo kompetent dhe jo dinjitoz për pozitën që kishte dhe imamët e tillë nuk janë ndjerë të mirëpërfaqësuar nga ai dhe si pasojë kanë vepruar kokë në vete;
• Problematike është qasja e këtyre imamëve të xhamisë që krenoheshin dhe krekoseshin me atë që nuk iu bindën urdhërave të një institucioni që deshën s’deshën ishte përgjegjës për jetën fetare islame, që me njëfarë forme ata imamë e legjitimonin anarkinë dhe mosbindjen institucionale, një prishje hierarkie institucionale;
• Neveritëse është edhe heshtja e njerëzve përreth tij, hoxhallarëve, ndoshta nga komoditeti dhe mirëqenia që iu ka ofruar Sulejman Rexhepi, por ndoshta edhe nga frika e pushtetit të tij të cilët nuk kanë pasur zërin e tyre kritik për përmirësimin e kësaj situate;
• Një njeri i tillë në krye të një institucioni fetar (shpirtëror) me afera korruptive publike dhe nuk reagon shteti, pra shohim një shtet jofunksional, joligjor.

Mirëpo është një çështje tjetër që po më bën të mendohem, se përse të gjithë, i madh dhe i vogël po merr mundimin të shkruan për BFI-në, pse të gjithë qytetarët shqiptarë, veçanërisht muslimanët tani po e lakojnë emrin e Sulejman Rexhepit…?
Edhe kjo pyetje jep shumë përgjigje, sepse tanimë ai është dorëzuar dhe lehtë është të gjuash një gurë drejt një lepuri të ngordhur se sa drejt atij që ia mbath e vrapon dhe se logjika e tillë nuk është që na nderon ne si popull, sepse nuk dëshmon kjo vetëdijen dhe guximin qytetar që për padrejtësi të tilla t’iu drejtohemi me kohë instancave përgjegjëse dhe llogaridhënëse, mirëpo jo, ne këtë nuk e kemi bërë sepse ma lehtë na vie që secili ta gjuan nga një gurë drejt lepurit të shtrirë tashmë. Kjo logjikë, kjo qasje, nuk tregon qytetarinë e duhur, mirëpo edhe kjo mund të shpjegohet kështu: se sot qytetari në Maqedoninë e Veriut, është dorëzuar karshi çdo padrejtësie, dhe se ndjehet shumë i pafuqishëm për nisma ose ankesa publike, sepse has në vesh të shurdhër, gjithnjë, e kjo gjë na ka humbur guximin qytetar dhe për atë më mirë dhe më lehtë na vie të llomotisin dhe dërdëllisim nëpër rrjete sociale, sikur që vetëm ajo na ka mbetur si shpresë, si dritare qytetarie për ankesa të tilla publike dhe qytetare, për kërkim llogarie institucionale, etj, pra me një fjalë shohim se nuk ka demokraci funksionale, pushtete të ndara, institucione që japin llogari, që ka ekuilibrim pushtetesh, etj.
Gjithashtu vlen theksuar se nuk është që kanë munguar zërat që kanë ngritur si shqetësim figurën e Sulejman Rexhepit, mirëpo ishin të paktë dhe të rallë ato, ndër ta, përshembull ishte një personalitet politik, një besimtar praktikant, si Muhamed Zekiri, që i ka dalur përballë Sulejman Rexhepit dhe bëmave e ligësive të tij, duke shtyrë forcat me të, mirëpo as ai nuk kishte sukses që të rrëzoj një figurë, të errët dhe të rrezikshme që sigurisht nënkuptohej se pas tij qëndronin qarqe jo aq dashamirëse për shqiptarët dhe për muslimanët.
Tani të gjithë po flasin, për shkak se tani BFI u ekspozua e gjitha para qytetarëve, para besimtarëve të saj, para atyre që kanë dhënë djersën dhe kontributin e tyre ndaj obligimeve fetare si zekatin, fitrat, e pagesa të llojllojta të ndryshme me natyrë bamirësie dhe se s’mund t’ia falin dhe t’ia pranojnë këto keqpërdorime të këtyre përmasave dhe për atë sot shohim nëpër rrjete sociale, që si kundërpërgjigje shumë prej tyre luajnë dhe lakojnë emrin e tij me sarkazëm dhe me humor, sidomos duke theksuar rastin e fundit, të martesës së pazakontë, kundrejt moralit dhe traditës sonë.
Shtrohet pyetja: Maqedonia e Veriut, a ka kuadro që të bëjnë reforma rrënjësore brenda këtij institucioni?
Përgjigjja është komplekse, sepse aktualisht, muslimanët në Maqedoninë e Veriut, janë të ndarë në disa taborre dhe ‘shkolla juridike’, që ka prej tyre që nuk mund të bashkëveprojnë me sistemin qeverisës të shtetit që jetojmë. Sot ne shohim se ekziston një frymë klerikale fetare që kanë për bazë vetëm moralin dhe nuk korrespondojnë me aktualitetin dhe ‘modernitetin’ e besimtarëve dhe që besoj se sikur ta merrnin ata në dorë BFI, nuk do ta keqpërdornin këtë institucion, sepse kanë si shqetësim moralin dhe dinjitetin e jetës fetare, mirëpo i mungon pjesa tjetër reformuese që nuk ecin me hapin e kohës dhe vendit dhe në anën tjetër ekziston edhe kleri fetar nëse mund ta quaj ‘modern’, që nuk e ka problem që të jeton aktualitetin dhe bashkërendimin institucional krahas sistemit shtetëror, mirëpo që nuk i bëhet vonë nëse cenohet integriteti apo dinjiteti i besimtarëve apo i klerit fetar, i tillë siç ishte ky i fundit dhe para këtij. Sigurisht midis këtyre taborreve ka edhe degëzime tjera, por mendoj se kjo është linja pak a shumë që ndjehet në hapësirat fetare. Për këtë arsye po vë në pah se në mungesë të një shteti funksional, që supozohet të jetë një rregullator, një ndërmjetës, që fut nën ombrellë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje, dhe që rregullon diversitetin dhe harmoninë brenda dallimeve që kemi mes nesh dhe që supozohet të nderojë dhe të ruajë dinjitetin e qytetarëve të saj, si edhe të mos lejojë që një person ose një grup i caktuar të bëj veprime kundraligjore dhe jodinjitoze brenda një institucioni kaq të nderuar, si për vete personalisht ashtu edhe për përfaqësuesit e tij.
Shpresoj që në hapësirat shqiptare të themelohet një bashkësi fetare islame shqiptare dhe të ketë një koordinim mes vete krahas ligjeve të shteteve përkatëse dhe të ekziston një qasje dhe frymë islame shqiptare, siç pati propozuar me të drejtë teologu, Elvis Naçi.
Nëse e para nuk mund të ndodh, uroj që kleri fetar në Maqedoninë e Veriut të reflektojë dhe të vendos për drejtimin që duhet të marrë BFI, të bëjë reformat e duhura, që t’i kthehet dinjiteti i munguar prej kohësh sëpari klerit fetar por edhe besimtarëve, që ata të kenë një institucion që i drejton drejt një jete dinjitoze, qytetare, fetare dhe të ndjehen të mirëpërfaqësuar.