Pse shqiptarët të rreshtohen edhepse s’pyeten për asgjë?

Shkruan: Fitim Nuhiu

I nxitur nga një reagim i gazetarit dhe analistit – Enver Robellit, në faqen e tij në facebook, që kam respekt për angazhimin e tij që bën për gazetarinë shqiptare dhe jo vetëm, më konkretisht për shqetësimin e tij për deklarimet e një hoxhe nga Shkupi, Muharem Ismaili, imam i xhamisë së Isa Beut, që kishte ligjëruar para xhematit të tij duke komentuar mbi ngjarjet e konfliktit Rusi-Ukrainë, duke tërhequr një vijë paralele mes Izraelit e Palestinës, po e perifrazoj hoxhën në fjalë:

“që kur janë vrarë palestinezët nga izraelitët, kryetari i Ukrainës – Zelenski, ai “dreq”, që del e bën spektakël si “gjynah” që kinse bën heroin tani, ishte po ai që qante për hebrenjtë e Izraelit duke i paraqitur si viktimë, që kinse po sulmohen nga palestinezët, etj, sepse tani ky zullumqar po përballet me një zullumqar edhe më të madh se ai, pra me Rusinë e Putinit, kjo ngase ne kemi bërë lutje kundër çdo zullumqari që të shfarosen mes vete, e të na lejojnë të jetojmë një jetë të qetë e të rehatshme,”

shkurt thënë, hoxha në fjalë konstaton duke qenë i kënaqur se sot Evropës i ka ardhur zullumi në derë sepse ka bërë zullum gjithandej dhe se nuk ka reaguar aspak për luftërat që kanë bërë kundër muslimanëve, sidomos në Siri.

Mendoj që pavarësisht që hoxha në fjalë është i mirëpërgatitur për drejtimin e tij por edhe për rrethanat politike dhe globale, nuk duhet marrë dhe nuk duhet mbushur kokën xhematit të tij me politika ditore e globale, edhe ashtu njerëzit janë të stërlodhur me lajme të tilla kudo, por të paktën jo edhe në xhami, sepse mendoj se xhamia supozohet të jetë vend prehje ku të kujton Zotin, përuljen, mëshirën, mirësinë mes njëri-tjetrit dhe se deklarime të tilla sigurisht që nuk i bëjnë nderë as hoxhën e as xhamisë, sepse askush asgjë s’përfiton në këtë mes, përkundrazi nxit urrejtjen kundrejt popujve dhe besimeve tjera.

Në anën tjetër gazetari Robelli, nuk e lë me kaq, shkon më tej duke thirrur autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha partitë shqiptare që të marrin masa kundrejt këtij hoxhe që flet gjuhë antisemite, që ndalohet normalisht me ligj ndërkombëtar një gjë e tillë, duke e quajtur hoxhën si ekstremist, antikombëtar, fanatik, etj…

Tash pika diskutabile është se përse ne shqiptarët të rreshtohemi me një rreshtim kaq fanatik, si nga njëra palë ashtu edhe nga pala tjetër dhe të përplasemi kaq fort mes vete, kur dihet se askush nuk na pyet për këto gjëra që ndodhin në globin tonë kaq kompleks, sidomos në kohët që tani po i jetojmë, kohë kur kanë lëvizur shumë boshte dhe kanë formuar spirale të reja, në kërkim të një Rendi të Ri Botëror.
Të mos keqkuptohem, duhet të jemi të mirëinformuar se çka ndodh përreth nesh, në globin (anijen) tonë, mirëpo jo edhe të çjerrim zërat dhe të bëjmë rolin e bajraktarëve, e partizanëve të huaj dhe dikush mund të thotë me të drejtë se “liria demokracia, duhet të jetë kauzë e jona”, sigurisht që po, mirëpo jo në nivelet e ngritjes së zërit sikur popujt e mëdhenj, sepse kjo çështje shkon paralel zhvillimit të vendit tënd që të mbrosh kauza të tilla, që normalisht as nuk duhet diskutuar, por duhet përpjekur t’i kesh në vendin tënd medoemos, të zhvillosh vendin dhe shoqërinë ku jeton, pastaj të dalësh tutje, sepse me veprime të tilla që po shohim sot, hendeku po rritet brenda grupimeve në shoqërinë tonë, e kjo është e papranueshme.

Është shumë e padobishme që sot gazetaria por edhe intelektualët të diskutojnë çështje kaq komplekse globale, kur duhet ditur halli jonë se ku jemi në këtë mes, halli jonë sesa popull i vogël dhe i dobët që jemi dhe nuk merremi me punë që vërtetë mund të jenë të vogla, por të mjaftueshme (të domosdoshme) për popullin tonë, shoqërinë tonë ku jetojmë, punë jetike, bie fjala për politikat e zhvillimit të arsimit (unifikim mbarëkombëtar), mjekësisë, shkencës, etj…

Mendoj se kjo dëshmon që ne historikisht kemi qenë dhe vazhdojmë të luajmë këtë rol serviliteti, inferioriteti, që kur të paraqitet diku një kauzë, ne menjëherë rreshtohemi e bëhemi partizanë të saj, pa ditur se çfarë kuptimi dhe vizioni mund të ketë për ne në të ardhmen, por me rëndësi që tani më jam bërë “dikushi” sepse kam një “kauzë” që ia vlen të diskutoj ose në rastin më të keq edhe të vdesë për të, që raste të tilla konsiderueshëm kanë ndodhur, si shkuarja në Siri, por edhe më herët gjëra të tilla.

Lirisht mund të konkludoj se në momentin që kur t’ia dimë hallin vetes, gjendjen faktike që kemi, gjërat për ne do të fillojnë të marrin kahjen e duhur dhe të na përmirësohen dhe do të bëhemi një popull i qytetëruar dhe i emancipuar, të dimë se kush jemi, identitetin tonë (që kemi shumë thika këtu në mes) përndryshe kështu siç jemi duke vepruar, do të përfundojmë duke luftuar nëpër llogoret e huaja, duke luftuar për kauza të huaja, dhe të padobishme për popullin tonë.

28.02.2022
Shkup