Pse protestova sot?

Nga Fitim Nuhiu

Jam një gjysmë-shtetas, një gjysmë-qytetar i republikës së Maqedonisë së Veriut, e them këtë gjë, sepse nuk kam shtetësi të plotë, pas gati 12 vitesh që më mohohet padrejtësisht kjo e drejtë elementare qytetare, edhe përkundër asaj që i plotësoj gjitha kushtet përkatëse për ta fituar një gjë të tillë, sidoqoftë tema ime nuk është për këtë trajtesë, por mu desh ta vija theksin në këtë pikë sepse akoma jam në dilemë se a kam pasur të drejtë të protestoj sot në një protestë qytetare, për një padrejtësi që pushteti si ai i Gruevskit ashtu edhe sot i Zaevit po vazhdojnë me skemën e njejtë të diskriminimit dhe luftimit të shqiptarëve me mjete të ndryshme, qoftë përmes gjyqeve të padrejta, qoftë përmes teksteve shkollore, qoftë përmes shumë e shumë diskriminimeve të lloj-llojta që lirisht mund ta përmbledh me fjalinë: po vazhdojnë të luftojnë popullin shqiptar në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme pa iu dridhur qerpiku nga askush.

Duke u nisur nga ideja që të gjithë jemi përgjegjës me një formë ose formë tjetër me atë se çka na ndodh përreth nesh, nuk mundesha të qëndroja i heshtur për këto padrejtësi që rëndojnë mbi supet e një etnie që i përkas edhe unë dhe nuk mundesha të qëndroja indiferent e të shikoja nga televizionet dhe rrjetet sociale dhe vendosa të dilja dhe të protestoja me idenë që të tregojmë bashkarisht se po na bëhet padrejtësi e vazhdueshme që kërkon sensibilizim të faktorit ndërkombëtar që të marrin masa që kjo lojë e fëlliqur e pushteteve të nëpasnjëshme të ndalojë njëherë e mirë.

Duke vëzhguar situatën e reagimeve, mbeta i zhgënjyer që zëri intelektual është i heshtur, zëri i gazetarëve tek tuk ngritet, por jo njëzëri, nuk trajtohet kjo temë me aktivitete investigative dhe profesionale nga ana e tyre, zëri i predikuesve fetar (hoxhallarëve) mungon, duke i predikuar xhematit të tyre që duhet bërë durim… etj, i potencova predikuesit sepse roli i tyre është shumë i madh në shoqërinë tonë, që nënkupton se nëse ata kanë guximin e duhur, ata mund të bëjnë gjëra të mëdha për shoqërinë tonë të përbashkët, por nuk e has këtë gjë tek ata, janë të heshtur, të mos i quaj që me heshtjen e tyre marrin nofkën ‘bashkëpunëtorë të pushteteve’, kjo gjë
më bëri të zhgënjehem pafund dhe në këto lloj protesta shohim se ata që ngrisin zërin janë këto kategori:

– një opozitë (shqiptare) deridiku e organizuar, (që realisht lë shumë për të dëshiruar, që i duhet koordinuar dhe forcuar më shumë, të jenë më kreativ, që të jenë qytetarë më aktiv në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë presionit të pushtetit),

– familjarët e dëmtuar nga raste të tilla, dhe

– tek tuk ndonjë qytetar që i ka plasur cipa nga këto gjëra.

Pse na ndodhin këto gjëra neve shqiptarëve, pse na përsëriten vazhdimisht raste të tilla që duket sikur fundi s’po i shihet kurrsesi…? Këto janë pyetje që duhet t’ia bëjmë secili shqiptar i këtij shteti – vetes sonë, paraprakisht, t’i dalim vetes para pasqyrës dhe t’i përgjigjemi sinqerisht se kush jemi, çka jemi, sa vlejmë, e pastaj të kërkojmë përgjigjet edhe jashta vetes sonë.

Këto raste të njëpasnjëshme të montuara ideologjike, etnike, dhe zor të them edhe politike, duhet ndaluar njëherë e mirë, sepse fillimisht është për të mirën e vet shtetit, pastaj edhe të qytetarëve.

Në fund dua të apeloj tek ky pushtet (parpëseprapë ia duam të mirën) që iu drejtohemi që të hapin rrugët që drejtësia ta thotë fjalën e vet të saktë e të vërtetë, të jetë e paanshme, të funksionoj sundimi i ligjit, të zbatoj barazinë mes gjithë qytetarëve të vet, pavarësisht etnisë, të mos luajnë me dinjitetin e shqiptarëve, sepse nëse duan të vazhdojnë të ekzistojnë si shtet normal, kjo është një gjë e domosdoshme, një gjë që nuk mundet pa mos ia garantuar gjithsecilit qytetar atë që i takon, një gjë që nuk mund ta zgjedh nëse dëshiron ta bëjë ose jo, përndryshe nuk mund të vazhdon të mbetet harta e saj rrumbullake brenda këtij territori që e dimë mirë se si e mori.